Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të dytën herë kanë ndërprerë përkohësisht bisedimet, për t’i rikthyer sërish pas një pauze.
Ndërkohë, mediat raportojnë se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po takojnë veç e veç Kurtin dhe Vuçiqin.
Janë bërë rreth dhjetë orë që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kanë nisur në Ohër takimet ndaras dhe trepalëshe me përfaqësuesin e lartë te Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Diskutimet po vazhdojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e këtij të fundit, palët u dakorduan më 27 shkurt në Bruksel.
Pas takimeve ndaras me përfaqësuesit e BE-së, Kurti dhe Vuçiq filluan takimin rreth orës 15:00 me një pauzë rreth një orëshe dhe ende diskutimet po vazhdojnë.
Pas takimit trepalësh është paralajmëruar një konferencë për medie e ndërmjetësuesit të dialogut, Josep Borrell.
Derisa pritet të deklarohen edhe kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq.