Serbia nuk merr pjesë në takimin e Komitetit të Transportit në Prishtinë

Sot në Prishtinë u zhvillua takimi i Këshillit Ministror të organizuar nga Komiteti i Transportit, ku kanë marrë pjesë ministrat e infrastrukturës nga Ballkani Perëndimor, por jo edhe nga Serbia.

Për herë të parë ky Këshill është kryesuar sot nga autoritetet e Kosovës, përkatësisht nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Ministri Aliu theksoi se nga ky takim pret që të arrihen marrëveshje për projekte të reja, siç theksoi ai për liberalizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave me vendet fqinje.

“Për Kosovën është më rëndësi që këtë vit e kemi edhe udhëheqjen, pra presidencën e këtij komuniteti të transportit dhe po e mbajmë për herë të parë në Prishtinë këtë mbledhje. Në këtë takim kemi prezent ministrat e rajonit dhe do të kemi mundësi të diskutojmë për çështje të rëndësishme deri në ato teknike në mes këtyre vendeve. Nga këto takime pritet të dalin marrëveshje të reja, memorandum të reja, e të cilat do të sjellin projekte që do të mundësojnë kyçjen e rrjetit infrastrukturor të Kosovës në rrjetet transportit evropian, në rrjetet e vendeve fqinjë si dhe do të ketë marrëveshje të reja të cilat do të mundësojnë liberalizim të lëvizjes në mes të vendeve, ku bëhet fjalë për udhëtarët dhe për mallrat”, theksoi Aliu.


Ndërsa, Stefano Paci përfaqësues nga Komisioni Evropian tha se transporti është fushë themelore dhe thelbësore për integrim në BE. Madje, ai theksoi se transporti nuk ka kufij është mjet për integrim dhe bashkëpunim.

“Transporti është një fushë themelore dhe thelbësore për integrimin jo vetëm në Bashkimin Evropian, por edhe për tej kufijve. Siç themi, transporti nuk ka kufi, është një mjet për integrim dhe bashkëpunim”, tha ai.

Ndërkaq, Matej Zakonjshek, drejtor i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, shtoi se ky takim në Prishtinë ka për qëllim integrimin e plotë të tregjeve të transportit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Dy projekte I vizatuam dje, kemi parë me sytë tanë progresin në linjën hekurudhore 10 që e lidh Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut dhe më tej i lidh këto me BE. Po ashtu, kemi parë progresin e punimeve në Autostradën e Paqes që lidh Prishtinën përmes Mendares me Nishin e Beogradin. Të gjitha këto projekte janë edhe simbole të angazhimit evropian jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin… Transporti i mirë është bazë për zhvillim të mirë ekonomik, që  zhvillon kontakte mes njerëzve dhe është prej atyre blloqeve kryesore për një paqe dhe siguri afatgjate në rajon”, tha ai.

Të pranishëm në këtë takim ku janë diskutuar projektet ekonomike të karakterit rajonal, me theks të veçantë nxitja e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit, kanë marrë pjesë ministrat e Infrastrukturës nga Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Lexo edhe

Video