Serbët sulmojnë policin serb, fajin tentojnë t’ua lënë shqiptarëve

Serbët sulmojnë policin serb, fajin tentojnë t’ua lënë shqiptarëve

Millosh Millovanoviq, i njohur me nofkën ‘Grizly’, pjesëtar i organizatës ilegale ‘Civilna Zastita’ e cila operon në veri të vendit, ka sulmuar fizikisht një pjesëtar të Policisë së Kosovës me inicialet D.R., nga stacioni policor në Zubin Potok, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore.

Viktima ka kërkuar trajtim në spitalin e veriut të Mitrovicës, dhe nuk ka lëndime serioze.

Disa media serbe si zakonisht, nuk kanë hezituar që menjëherë të raportojnë rreth kësaj ngjarje, duke dezinformuar opinionin, dhe duke iu referuar shqiptarëve si protagonistë të këtij sulmi.

Burime të sigurta të KosovaPress-it nga Zubin Potoku, bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur të shtunën brenda stacionit policor në Zubin Potok.

“Pas një përplasje verbale mes ‘Grizlyt’ dhe pjesëtarit të policisë që ka ndodhur të shtunën në një kafene të fshatit Rezala të Zubin Potokut, Milos Milovanoviq – Grizly, së bashku me një grup të personave të armatosur, kanë hyrë në stacionin policor në Zubin Potok, dhe e kanë rrahur zyrtarin policor Dejan Radivojeviq. Ka pasur edhe të shtëna me armë, por fatmirësisht nuk është lënduar askush”, kanë thënë burimet.


Sipas këtyre burimeve, Dejan Radivojeviq – Grizly, anëtar i ‘Civilna Zastita-s’, është i njohur si person shumë problematik, i cili mori pjesë në të gjitha incidentet e pasluftës në veri të Kosovës, me theks në zonën e komunës së Zubin Potokut.

Burimet më tej kanë shtuar se ‘Grizly’ para pak kohësh ka pranuar një aktgjykim nga gjykata kompetente, sipas të cilit është dënuar me gjashtë muaj burgim, për vepër të ngjashme ‘sulm ndaj zyrtarit policor’.

Mësohet se njësitet policore gjatë ditës së djeshme kanë bastisur menjëherë pas incidentit shtëpinë e Millovanoviqit dhe personave tjerë të dyshuar, por të njëjtit nuk janë gjetur dhe ndodhen në arrati.

Në anën tjetër, KosovaPress-i ka kontaktuar me zëdhënësin e policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq rreth kësaj ngjarje, i cili nuk ka konfirmuar asgjë, me arsyetimin se në email adresën e tij nuk ka arritur akoma asgjë në lidhje me ngjarjen.

Ai u shpreh i bindur se sulmuesit nuk kanë qenë shqiptarë.

“Vërtetë nuk më ka arritur ndonjë email rreth kësaj ngjarje dhe nuk di çka të them, por nëse në ndërkohë arrinë diçka rreth kësaj ngjarje, natyrisht do t’ju informoj menjëherë. Personalisht nuk besoj se sulmuesit kanë qenë shqiptarë”, ka thënë shkurt përmes telefonit Radoviq.

Lexo edhe

Video

error: