Serbët e veriut thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve
Tema
Lexohet për: 2 min.
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Tashmë që kanë mbetur edhe dhjetë ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave veriore të vendit, serbët e asaj pjese thonë se nuk ka kushte për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe se nuk do të dalin në votime.

Të paktë janë ata qytetarë të cilët pranojnë të flasin publikisht për këtë çështje dhe sikur hezitojnë të shprehen lirshëm, por prapa kamerës së KosovaPress-it dhe pa përmendur emra, bëjnë të ditur se janë të frikësuar për të dalë në zgjedhje nga grupe të caktuara të dyshuara kriminale në veri të vendit.

Me krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve ata nënkuptojnë kthimin e serbëve nëpër institucione.

Sllobodanka Zaporozhac, qytetare e veriut të Mitrovicës, thotë se nuk do të dalë në zgjedhjet e 23 prillit sepse nuk ekzistojnë kushtet për një gjë të tillë.

Ngjashëm u shpreh edhe një banor tjetër nga kjo pjesë e qytetit, i cili nuk deshi të prezantohet, por tha se nuk ka kushte për zgjedhje.

Në anën tjetër, Aleksandar Arsenijeviq, lider i Iniciativës Qytetare “Mbijetesa serbe” në veri të Mitrovicës, situatën politike dhe të sigurisë në veri e ka përshkruar të rëndë, me mundësi shpërthimi çdo moment.

Duke e quajtur të paligjshme  mbajtjen e zgjedhjeve nëpër stacione policore, Arsenijeviq tha se ato duhet të shtyhen deri sa të krijohet atmosferë  e përshtatshme.

Ai tha se nuk ka kandiduar për kryetar të  komunës së Mitrovicës Veriore, veç tjerash edhe për shkak se nuk ka dashur të ndahet nga shumica e popullit të tij.

Ndryshe, zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit janë shpallur pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në fund të vitit të kaluar për shkak të përplasjeve rreth çështjes së targave, ndërsa u parapanë të mbahen fillimisht më 18 dhjetor të vitit të kaluar, por u shtynë me vendim të presidentes Vjosa Osmani për 23 prill. /A. Damati/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024