Selmanaj: LDK, shkollë për demokraci për partitë e tjera

Driton Selmanaj gjatë pauzës së kuvendit të LDK-së deklaroi se partia e tij është shkollë për demokraci për të gjitha partitë e tjera. Ai tha se secili kandidat voton me votë të fshehtë për kandidatin që është më i mirë dhe se nuk ka asnjë vendim nëpër degë se kush duhet të votohet.

“Secili person ka votën e tij, është i pjekur politikisht sepse kështu është edhe përcaktuar si delegat të jetë këtu dhe tash po zgjedhim. Ajo çfarë është e rëndësishme është se LDK vërtet është shkollë për demokraci për partitë politike në Kosovë. Kjo është demokracia. Kemi një garë, tri kandidatura, secili më i mirë se tjetri. Nga kutitë e votimit del edhe rezultati”, deklaroi Selamanaj.

Zëvendëskryeministri në detyrë u shpreh se nuk i di arsyet e tërheqjes nga gara të Anton Qunit, por u shpreh se këto janë çështje individuale. Ai konfirmoi se janë miratuar të tre kandidaturat e paraqitura, e Lutfi Hazirit, Lumir Abdixhikut dhe Besian Mustafës.


Selmanaj mohoi zërat se udhëheqësia e kaluar në krye me Isa Mustafën do të ndikojë te kryetari dhe udhëheqësia e re duke thënë se kjo fjalë s’kanë asnjë kuptim dhe se Mustafa tashmë nuk është pjesë e kuvendit.

Zëvendëskryeministri në detyrë komentoi edhe hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem duke thënë se çdo presje e marrëveshjes së Uashingtonit duhet të respektohet.

“E rëndësishme është çdo pikë, çdo presje e asaj marrëveshje, të jetësohet. Asnjë e keqe nuk ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë qasje duhet ta kenë të gjithë. Ajo marrëveshje duhet të respektohet, është për të mirën e Kosovës dhe jam i bindur që marrëveshja tjetër po në Uashington do të përfundojë me njohje reciproke”, përfundoi Selmanaj.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: