Selimi: Qeveria në ardhje nuk është e Hotit, por e Thaçit

Selimi: Qeveria në ardhje nuk është e Hotit, por e Thaçit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, ku po mbahet seanca për votimin e qeverisë së re, tha se kjo qeveri që po tentohet të bëhet nuk është as legale as legjitime.

Selimi tha se është ilegale pasi që po vjen pas shkeljeve Kushtetuese, që sipas tij ndodhen me dekretin e presidentit Thaçi.

Ai akuzoi Gjykatën Kushtetuese se nxori një vendim antikushtetues.

“Qeveria të cilën doni ta formoni ju si rrjedhojë është edhe ilegale edhe ilegjitime. Është ilegale sepse vije pas shkeljeve të njëpasnjëshme të Kushtetutës së Kosovës, siç është dekreti jokushtetues për mandatimin e humbësit të zgjedhjeve për kryeministër e deri te k aktgjykimi i padrejtë dhe jokushtetues i Gjykatës Kushtetuese. Dekreti që sajoi presidenti juaj është i pabazuar në kushtetutë dhe si i tillë edhe i kundërshtueshëm nga ana jonë deri në Gjykatën Kushtetuese. Por për fat të keq që nga ajo gjykatë të buronte drejtësi në mbrojtje të kushtetutës ajo prodhojë një aktgjykim të padrejtë duke dhënë të drejtë shkelësit të kushtetutës. Gjykata Kushtetuese që ju donit ta shenjtëroni nga njëherë është zgjedhur këtu, siç është zgjedhur edhe presidenti që ne e dërguam në Gjykatë”, tha ai.

Ai tha se anëtarët e Kushtetueses u vunë në shërbim të partive politike dhe se ky dekret sipas tij është i padrejtë.

Selimi tha se kjo qeveri në ardhje nuk është e Avdullah Hotit, por e Hashim Thaçit, i cili sipas tij do ta shfrytëzojë për ndarje të Kosovës dhe për të fituar edhe një mandat 5 vjeçar.

“Ajo që ju po tentoni ta votoni sot nuk është qeveria Hoti, madje nuk është as siç po thuhet qeveria Thaçi 3. Por më shumë se qeveria Thaçi 3 është qeveria e Thaçit që do të jetë e përdorur dhe në fund e hedhur si një leckë pasi që t’i ketë arritur qëllimet e tij. Kjo qeveri do t’i duhet atij vetëm sa për t’i shërbyer për legjitimimin e ndarjes së Kosovës dhe që të përfitojë nga kjo qeveri edhe një mandat tjetër si president. Neve nuk është që na vjen keq për veten tonë. Por na vije keq sepse po tentohet të bëhet një qeveri vazale që shtetin do ta rikthejë sërish në duart e grupeve dhe individëve që i kanë kapur shumë mekanizma shtetërorë e bashkë me to ju kanë kapur edhe shumicën prej jush si parti politike”, tha ai.


Ai tha se për 100 ditë Qeveria Kurti filloi ta çkap shtetin. Prandaj tha se nuk dëshiruan këtë qeveri.

“Ju nuk mund ta duroni qeverinë e Vetëvendosjes sepse nuk mund të gjeni bashkëpunëtorë për tenderë, për falje e shitje të pasurisë publike e për korrupsion. Por para se gjithash ju nuk mund ta duroni qeverinë Kurti sepse ajo nuk bashkëpunoi me ju as me dikë tjetër për pazare me Serbinë e për ndarje të Kosovës. Serbisë i vumë reciprocitet të cilin ju po e kundërshtoni. Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje ishte dhe do të jetë në të ardhmen qeveri e qytetarëve të vendit, qeveri që punon drejt e pakompromise me përkushtim në të mirën e qytetarëve e jo për përfitime partiake”, tha ai.

Andaj sipas Selimit zgjedhjet janë e vetmja formë për legjitimimin e një qeverie të dalë nga dëshira dhe vullneti i  popullit.

 

 

 

 

Lexo edhe

error: