Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, Iakovos Filippousis, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës që përgatitjet për Lojërat Mesdhetare të merren më seriozisht dhe secili të respektojë afatet kohore dhe të bëjë hapat e nevojshëm.
Këtë mesazh Iakovos Filippousis e dha pas një takimi që pati me ministrin e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku si dhe presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi.
Nga ana tjetër, ministri Çeku theksoi se ka ende shumë punë për t’u bërë, por që përmes këtyre lojërave, Kosova do të dëshmohet si shtet i fuqishëm që e ka prioritet sportin.
“Kosovën po e shëndrrojmë në shtet të sportit dhe për këtë jemi të vetëdijshëm që krahas rezultateve sportive duhet të punojmë edhe në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive, ta ndërtojmë infrastrukturën sportive, të kemi qeverisje të mirë të organizatave sportive, ta zhvillojmë diplomacinë sportive dhe të punojmë paralelisht në shumë sfera të zhvillimit sportiv...Përpara kemi një rrugë të gjatë me plotë sfida por jemi të bindur se me përkushtim, bashkëpunim dhe vizion të qartë do t’i arrijmë të gjitha sukseset e përbashkëta përpara. Ky projekt madhor nuk është vetëm një përgjegjësi por edhe një mundësi unike për të dëshmuar fuqinë tonë si vend mikpritës dhe si shtet që i jep prioritet sportit”, tha Çeku.“Padyshim se e kemi shfrytëzuar rastin kur kemi pas kohë të lirë që të bisedojmë edhe më herët rreth punës sonë deri më tani për organizimin e Lojërave Mesdhetare që do të ndodhin në Prishtinë në vitin 2030 që është një ngjarje shumë e madhe për Kosovës dhe të gjithë sportistët tanë dhe qytetarët tanë dhe jemi në rrugë shumë të mirë, kemi punuar deri më tani shumë mirë”, theksoi Krasniqi.
Javën e kaluar tashmë është miratuar në Kuvendin e Kosovës Ligji për Lojërat Mesdhetare i cili përcakton hapat që duhet të ndërmerren në vazhdim për përgatitjen e Lojërave Mesdhetare.