Sejdiu: Ekzekutimi i shtesave për 400 mjekë mund të bëhet me vendim të qeverisë apo gjykatës

Sejdiu: Ekzekutimi i shtesave për 400 mjekë mund të bëhet me vendim të qeverisë apo gjykatës

Në fillim të muajit mars Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) me autorizim të 400 mjekëve kanë ngritur padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për mos ekzekutimin e shtesave për këta mjekë. Këtë padi Oda e kishte ngritur derisa në krye të MSh-së ministër ishte Armend Zemaj. Prandaj tani kur kjo ministri udhëhiqet nga një ministër tjetër, sipas kryetarit të Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu  këto pagesa ministria e Shëndetësisë nuk mund t’i realizoj pa vendim të Qeverisë së Kosovës apo vendim të gjykatës.

KosovaPress gjatë ditës ka tentuar të marr një reagim nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me padinë e ngritur nga OMK-së , por nga MSH nuk kanë kthyer përgjigje.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu deklaroi se deri tek vendimi për padi kanë ardhur pas refuzimeve të ish-ministrit, Zemaj karshi  kërkesave të tyre. 

“Kemi ngritur një padi ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, nuk flitet për ministrin ky apo ai, por për Ministrinë e Shëndetësisë. Pas shumë shkresave qoftë individuale që i kanë bërë kolegët tonë, qoftë ne në emër të tyre i kemi dërguar Ministrisë së Shëndetësisë që të respektohet vendimi i qeverisë përmes të cilit garantohet shtesat e mjekëve që janë të punësuar të japin shërbime shëndetësore. Dhe pasi që Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur dhe ministri, Armend Zemaj nuk është përgjigjur, është injoruar një gjë e tillë mbi 400 mjekë, kryesisht të rinj kanë autorizuar Odën që të filloj me procedura gjyqësore ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për pagesat që nuk i kanë bërë. Këto pagesa varet nga fillimi i specializimit të tyre, ka që nuk janë paguar që nga gushti, që nga fillimi i pagesës së këtyre 250 eurove, disa që janë futur më vonë në sistem por flitet për qindra mijëra euro që MSH ua ka borxh kolegëve tanë. Kjo padi është dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 3 mars”, theksoi Sejdiu.

Sejdiu deklaroi se lidhur me padinë e ngritur ndaj MSh-së është njoftuar edhe ministri aktual, Arben Vitia. Madje ai tha se nëse bëhet ekzekutimi i këtyre mjeteve atëherë do e tërheqin padinë në të kundërtën do vazhdoj tutje me procedura gjyqësore.

“Me ardhjen e strukturës së re politike në Ministrinë e Shëndetësisë ne e kemi informuar zotërinë Vitia për këtë problematik dhe i kemi propozuar që të gjendet një zgjedhje për pagesat e këtyre borxheve, dhe nëse gjendet zgjedhja ne do e tërheqim padinë, nëse jo atëherë padia do vazhdoj dhe atëherë pa marr parasysh se kush është ministër në këtë rast Qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë këto pagesa me urdhër të gjykatës. Ne kemi mbledh fakte për të gjitha këto raste kolegët tanë me autorizimin që kanë sjelle dhe faktet që iu takojnë këto shuma”, tha Sejdiu.


Sejdiu thotë se tashmë me strukturën e re udhëheqëse të Ministrisë së Shëndetësisë, këto pagesa mund të bëhen vetëm përmes ndonjë vendimi të qeverisë së Kosovës apo edhe me vendim të gjykatës.

“ Ministria e Shëndetësisë, administrata nuk është përgjigjur në kërkesën tonë, Zemaj nuk është përgjigjur e ka injoruar shkresën tonë dhe tani bazuar në  ligjet në fuqi  është shumë vështirë të bëhet një pagesë e tillë retrograde, përveç se një vendim i qeverisë për pagesat që mund të bëhen me vendim të qeverisë me rezervat e shtetit apo alookimeve nga një vijë buxhetore në tjetrën, duke marr parasysh se ministria e Shëndetësisë këtë vit i ka 20 përqind  i është tkurrur buxheti normalisht edhe këto, por që mendoj se edhe për MSH është e vetmja mënyrë kjo pagesë të bëhet përmes vendimit të gjyqit apo vendimit të qeverisë përndryshe do jetë problem”, u shpreh Sejdiu.

E udhëheqësi i Odës së Mjekëve të Kosovës ka paralajmëruar padi nga java e ardhshme edhe për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Kjo padi sipas tij do ngritët për mos pagesës të kujdestarisë për rreth 50 mjek të rinj që kanë shërbyer tash në kohën e pandemisë.

“Është padia pas autorizimit të mbi 50 mjekëve tanë për mos pagesat e kujdestarive dhe kjo padi do ngritët ndaj SHSKUK-së ku është anashkaluar pagesa e mjekëve tanë të rinj,  specializantët të cilët kanë bërë kujdestari dhe të cilëve nuk u kanë paguar deri tash 1 vit dhe me autorizimin e tyre ne do procedojmë javën tjetër nëse SHSKUK nuk reflekton dhe nuk i bënë këto pagesa”, theksoi ai.

Ish Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj nga muaji gusht kishte paralajmëruar shtesa prej 300 eurosh për punonjësit shëndetësor deri në fund të pandemisë, bazuar në kategorizimin e bërë sipas rrezikshmërisë së drejtpërdrejt nga COVID-19.

Lexo edhe

Video