Seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, mbrojtja thotë se prokuroria s’po i realizon detyrimet e veta për materialet shfajësuese

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes është kërkuar përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se a mbetën prova shfajësuese në ruajtjen, kontrollin ose njohuritë aktuale të ZPS-së që duhet t’i zbulohen mbrojtjes, në përputhje me rregullën 103 dhe nëse ka ndonjë kërkesë për masa mbrojtëse për një material të tillë.

Lidhur me këtë, prokuroria ka thënë se nuk janë në dijeni të ndonjë kërkesë për mase mbrojtëse, ndërsa mbrojtja ka deklaruar që prokuroria nuk po realizon detyrimet e veta lidhur me materialet shfajësuese.

Avokati i Hashim Thaçit, Gregory W.Kehoe e ka konsideruar shqetësues faktin që prokuroria nuk po i nxjerr materialet shfajësuese duke shtuar se të njëjtat mund të mos jenë të dobishme për prokurorinë dhe e cenojnë kredibilitetin e dëshmitarit ndërkombëtar.

“Nëse një diplomat i SHBA-së që ka qenë në vend apo në NATO, po i përdor SHBA-të si shembull mund të jetë cilido vend, dhe ky person do të dëshmojë për një aspekt dhe në fakt ka telegrame, raporte, të cilat i cenojnë ato që do të thotë ky dëshmitar, apo janë ndryshe nga fjalët e dëshmitarit, edhe ky është material i rregullës 103, pra nuk janë thjesht materiale shfajësuese apo lehtësuese, janë ndër materialet që cenojnë kredibilitetin e dëshmitarëve të prokurorisë dhe shqetësimin që kam unë në mungesë të këtyre telegrameve që nuk na janë nxjerrë është se unë shoh persona të huaj në listën e dëshmitarëve por shumë pak telegrame nga vendet e tyre, të cilat mund të ishin pjesë e kategorive të ndryshme dhe sigurisht cenojnë dhe kredibilitetin e dëshmitarit në fjalë. Në fakt kjo është shumë e rëndësishme për zotin Thaçi, sepse zoti Thaçi ka punuar shumë në nivele ndërkombëtar, ka punuar me udhëheqës ndërkombëtarë, pra bëhet fjalë për një kërkesë sipas rregullës 107, sepse nuk mund të nxirret me lejen e vendit përkatës, por duhet bërë kjo kërkesë për të parë që ne të shikojmë çdo gjë që ka parë edhe prokuroria”, ka thënë mbrojtja e Thaçit.

Ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson ka kërkuar që prokuroria të deklarojë zyrtarisht nëse i ka lexuar 68 mijë dokumentet dhe nëse janë në dijeni të përmbajtjes së tyre.

“E ftova prokurorinë të na vë në dukje nëse i kanë lexuar 68 mijë dokumentet. A e dinë ata se çfarë përmbajnë ato? Nëse nuk e dinë, përgjigja është se ato dokumente nuk janë lexuar, atëherë prokuroria nuk i realizon dot detyrimet e veta lidhur me materialet shfajësuese. Pa u futur në hollësi, unë e di që në atë listë ka materiale që janë shfajësuese dhe duhet të futet në listën e materialeve shfajësuese, është e qartë që ata nuk e kanë bërë punën e tyre. Prandaj duhet të këmbëngul përsëri që prokuroria të pyetet, të thotë zyrtarisht nga këto 68 mijë e 700 faqe, cilat dokumente i ka lexuar dhe i ka analizuar për të parë rëndësinë e tyre, dhe sot duam përgjigjen, sepse ata e dinë përgjigjen dhe duhet ta thonë, nëse përgjigja është jo atëherë e kemi punën pisk lidhur me këtë gjyq”, ka thënë Emmerson.


Për materialet shfajësuese, avokati i Rexhep Selimit, David Young ka thënë se janë të rëndësishme meqë lidhen me pafajësinë e të akuzuarve, andaj sipas tij, prokuroria duhet të deklarohet rreth tyre.

“Janë materiale shumë të rëndësishme sepse lidhen me pafajësinë e të akuzuarve apo me minimin e çështjes së prokurorisë, pra nuk ka si të bëhet me e rëndësishme si kategori, duke u mbështetur te këto që tha Emmerson unë e them që ka shumë rëndësi që ju dhe palët sidomos. Mbrojtja dhe të akuzuarit të kenë një ide për vëllimin e materialeve që prokuroria ka identifikuar si material që duhet ta nxjerrin për të shqyrtuar nëse futet në rregullën 103, kjo lidhet drejtpërdrejt me procedurat, pra ne duhet të kemi një ide po flasim për një apo dy dokumente apo për mijëra dokumente, apo dhjetëra-mijëra dokumente, ata i kanë identifikuar materialet që duhet të shqyrtojnë prandaj përgjigja për këtë pyetje do të ishte me dobi”, ka thënë mbrojtja e Selimit.

Lidhur me deklarimet e avokatëve është pajtuar edhe mbrojtja e Jakup Krasniqit. Për këto materiale është pyetur prokurorja Claire Lawson, e cila ka thënë se identifikimi i materialeve shfajësuese është në vazhdim e sipër.

“Identifikimi i materialeve shfajësuese kërkon një ushtrim më të thelluar dhe është në vazhdim e sipër, ekipet e mbrojtjes kanë të drejtë që mund të ketë materiale informacione sipas rregullës 102 (3) në këtë listë dhe kjo është për shkak se shqyrtimi po vazhdon, nuk kemi pretenduar deri tani se kemi përfunduar këtë punë por në rastin e kësaj natyre parashikojmë që një sasi e madhe e materialeve lidhur me rregullën 102 (3) mund të lidhet me çështje potencialisht shfajësuese si ato të materialit që janë nxjerrë… Nuk e kam numrin përpara të materialeve e di që është një kategori materialesh që është identifikuar që kërkon shqyrtim në bazë të rregullit 102 (3), e di që kohët e fundit janë marrë materiale që nuk i është nënshtruar shqyrtimit tonë në të dy kategoritë por nuk e kam numrin lidhur me vëllimin e tyre”, ka deklaruar prokurorja.

Lidhur me këtë kritika janë adresuar nga avokati Ben Emmerson.

“Zonja Lawson nuk i përgjigjet dot pyetjes sigurisht, sepse sapo tha që nuk i kanë shqyrtuar efektivisht 68 mijë e 700 dokumente për të parë materialet shfajësuese, por ju siguron se do të jetë besoj e njëjta gjë sikurse me materialet e tjera shfajësuese. Nga e di ajo kur nuk i ka parë? Ku e mbështet ajo këtë parashtrim kur nuk e kanë bërë ende analizën apo shqyrtimin? Këtë kisha parasysh kur thashë që prokuroria e keqpërfaqëson çështjen. Bëhet fjalë për 68.700 dokumente që ajo e pranon mund të përmbajnë materiale të rregullës 103, por ajo nuk e di se cilat janë ato. A e kuptoni, i gjithë diskutimi që kemi zhvilluar është humbje kohe, sepse është vëllim materialesh që mund të përmbajë shumë materiale shfajësuese që as nuk i kanë parë me sy, është përfshirë disi elementi njëri por jo aq sa për të dhënë një përshkrim i duhur”, ka thënë Emmerson.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, konferenca mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UCK-së parasheh në rend dite për sot edhe diskutimin për përkthimet, hetimet e ZPS-së dhe hapat e mëtutjeshëm, si dhe hetimet e mbrojtjes dhe hapat e tjerë të mbrojtjes në drejtim të hetimeve./G.Kadrija

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: