Seanca e radhës në rastin e Salih Mustafës pritet të mbahet në shkurt

Avokati i Salih Mustafës ka thënë se situata e krijuar me pandeminë COVID-19 do të mund të kufizojë mbrojtjen të kryejë hetimet, sidomos në pjesën kur duhet të udhëtojë për në Kosovë. Në seancën e tretë mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur sot në Hagë, pasi Prokuroria përmendi muajin mars si kohë kur duhet të fillojë procesi gjyqësor, avokati Von Bone tha se mund të nevojitet më shumë kohë deri në fillimin e gjyqit.

Avokati Julius von Bone tha se mund t’iu duhen deri në nëntë muaj kohë për hetime.

“Do të bëhet një mbyllje e plotë në Holandë, që do të hyjë në fuqi sonte e do të vazhdojë deri më 19 janar, nuk e di në çfarë mase do të ndikojë kjo në aktivitetet tona. Do të ketë mbyllje të plotë dhe kjo padyshim që do të kufizojë mundësitë e mbrojtjen për të kryer hetimet dhe për të udhëtuar në Kosovë. Kaq kam për të thënë lidhur me statusin e hetimeve të mbrojtjes, sa do të zgjasë apo, do të kisha thonë së paku nëntë muaj”, tha ai.

Ndërsa prokurori Cezary Michalczuk nuk u pajtua me këtë periudhë kohore.

“Është pak shqetësuese, e kemi të qartë se mbrojtjes i duhet kohë për të kryer hetimet, por ndoshta duhet të gjejmë një mënyrës ta trajtojmë këtë çështje, duhet ta vlerësojmë masën e ndikimit të masave, për ndikimin e pandemisë, që merr qeveria, në çfarë mase do të ndikojnë ato të mbrojtja për të udhëtuar në Kosovë për të kryer hetimet e veta, Këtë po e them sepse kemi në paraburgim të pandehurin dhe duhet të vazhdojmë sa më shpejtë që është e mundur me gjykimin”, tha ai.


Por, sipas avokatit, se kur mund të fillojë procesi gjyqësor varet edhe nga sasia e dëshmitarëve që duan të jenë pjesë e këtij procesi.

“Varet nga sasia e dëshmitarëve që duam të jenë pjesë e procesit gjyqësor, por është një çështje që e kemi aktualisht dhe po përballemi. Do të shohim nëse do të mund ta bëjmë këtë gjë përpara muajit mars të vitit që vjen, nuk jam i sigurt për të dhënë përgjigje specifike por më duhet të them që po punojmë për të qenë më të qartë. Në vlerësimet e mija të përafërta dua të them që ndoshta nuk mund të jetë marsi, mund të jetë një muaj apo gjashtë javë pas marsit, këtë lloj date të përgjithshme mund të jap”, tha mbrojtja.

Një pjesë e seancës së sotme në Hagë ka vijuar e mbyllur me kërkesë të mbrojtjes, për shkak se do të diskutoheshin materialet që i ka dorëzuar Prokuroria.

Ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet në muajin shkurt.

Kujtojmë se Salih Mustafa, i njohur si komandant Cali, e ka filluar ballafaqimin me Gjykatën Speciale më 28 shtator të këtij viti. Ai është i arrestuari i parë nga Specialja dhe atje është deklaruar i pafajshëm.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.