S’dihet ende forma e bashkëpunimit mes LVV dhe iniciativës së Osmanit

S’dihet ende forma e bashkëpunimit mes LVV dhe iniciativës së Osmanit

Ish-deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë se pret që në zgjedhjet e radhës, subjekti të cilit i takon t’i ketë mbi 65 deputetë në Kuvendin e Kosovës, duke shtuar se s’ka dyshim që Albin Kurti do t’i prijë listës së VV-së në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 shkurt.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, Pacolli u shpreh se nuk beson që do të paraqitet ndonjë pengesë për të bashkëpunuar me iniciativën e Vjosa Osmanit për të bashkë-qeverisur në të ardhmen.

“Tani ka një numër të sondazheve që e vendosin Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese – VV mbetet ajo që i prinë garës dhe do të jetë parti që do ta ketë shumicën në Kuvendin e Kosovës. Presim që në zgjedhjet e radhët të kemi mbi 65 deputetë. Ne tani si VV jemi duke dalë në sondazhe që po prijmë, por kur bashkohemi me iniciativën e Vjosa Osmanit; atëherë del përqindja edhe më e lartë”, tha ajo.

Pacolli tha se ende nuk e kanë specifikuar se si do të jetë format e bashkëpunimit me iniciativën e Vjosa Osmanit, si koalicion apo në një listë të përbashkët.


“Tash po presim që Osmani të përfundojë me punën e saj dhe pastaj të vendosim se si do të bashkëpunojmë në të ardhmen. Ne kemi bashkëpunuar me të deri më tani dhe kemi shprehur gatishmërinë që të vazhdojmë edhe më tutje. Tani për tani nuk mund të flasim se cilat janë kriteret sepse gjatë diskutimeve nuk besoj se do të ketë diçka që do të na pengojnë drejt marrëveshjes. Ne nuk kemi biseduar për mënyrën e bashkëpunimit – ne po presim që ajo të përfundojë punën me iniciativën e saj dhe pastaj do të ulemi dhe të diskutojmë”, tha Pacolli.

Në Edicionin Special në Klan Kosova, Pacolli u shpreh se Kurti është ndër më të votuarit dhe se qytetarët po e deklarojnë hapur se ai do të jetë lideri i ardhshëm.

“Padyshim që Albin Kurti do t’i prijë listës së VV-së dhe kjo është një gjë që s’ka dilemë dhe me këtë listë ne do të dalim fitues. Nuk kemi dyshim kjo ngase lideri Kurti është ndër më të votuarit dhe qytetarët po e deklarojnë hapur se ai do të jetë lideri i ardhshëm”, tha ajo.

E pyetur se me cilën nga subjektet politike VV do të formonte koalicion parazgjedhor, ajo e ka përjashtuar një mundësi të tillë.

“Ne e kemi thënë kohë më parë se e vetmja iniciativë qytetare që ne mund të bashkëpunojmë është Vjosa Osmani – askush tjetër. Ne jemi të qartë, kemi deklaruar disa herë se nuk ka koalicion tjetër përveç Osmanit me të cilët do të dakordohemi ditëve në vijim”, përfundoi Pacolli.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: