Samiti i BE, Ukraina mund të marrë 1 miliard euro nga asetet e ngrira ruse
Lexohet për: 7 min.
kes
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Në samitin e BE, që mbahet sot në Bruksel qëndron një projekt tjetër në fokus: si të forcojë mbrojtjen Europa para konfliktit në Ukrainë.

Në një pikë janë të një mendimi krerët e shteteve e qeverive të BE. Armatosja me efekt kërcënues ndaj sulmeve potenciale do të kushtojë shumë para. Se nga vijnë mjetet këtu qëndrimet ndahen. Ideja e Spanjës dhe Francës që të merren borxhe të përbashkëta si në kohën e Covid 19, shihet me dyshim nga Gjermania. Por prioritet kanë ndihmat e furnizimet me armë për Ukrainën. Këtu u arrit ujdia që të përdoren fitime nga interesat e aseteve të ngrira ruse për ndihma dhe furnizimin me armë të Ukrainës. “Para së gjithash tani do të mundësojmë shpejt që të marrim fitimet nga asetet e ngrira ruse në BE. Dhe me një pjesë të parave do të ndihmojmë Ukrainën, edhe me mjete ushtarake.”

Samiti i BE i drejtoi të enjten apel të qartë Izraelit. Ai kërkohet që të ndalë menjëherë luftimet në Rripin e Gazës për të mundësuar arritjen e ndihmave humanitare. Më parë në samit pati një shkëmbim mendimesh me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Afrim më i madh BE Ukrainë

Para një viti shtetet e BE i premtuan Ukrainës se do ta furnizojnë me 1 milionë municione për ushtrinë në luftën mbrojtëse kundër Rusisë. Deri tani BE nuk e ka realizuar dot këtë premtim. Në Bruksel u morën një sërë masash të tjera financiare dhe politike. Në samitin e BE u arrit ujdia të enjten për financimin e furnizimit me armë të Ukrainës.

50 miliardë për buxhetin ukrainas

Për herë të parë u zhvillua edhe takimi i Këshillit të Asociiimit Ukrainë-BE, pas dhjetorit kur BE zyrtarisht bëri të ditur fillimin e negociatave të anëtarësimit. Në këtë instancë përgatiten hapa të tjerë deri në pranimin e negociatave të anëtarësimit. Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal paraqiti një plan reformash dhe për rindërtimin e Ukrainës. Presidentja e KE, Ursula von der Leyen bëri të ditur, se të mërkurën u lirua kësti i parë prej 4,5 miliardë eurosh nga 50 miliardë euro të instrumentit të ri të financimit të BE për vendin kandidat, Ukrainën. Deri në fund të vitit 2027 do të financohet kështu buxheti i Ukrainës. “Kjo është vendimtare për Ukrainën”, tha presidentja e KE, Ursula von der Leyen. “Jemi mirënjohës për këtë mbështetje”, u shpreh kryeministri ukrainas, Shmyhal. Mekanizimi i financimit me 50 miliardë euro për Ukrainën është çelës për stabilitet. “BE është tani në një gjendje alarmi, sepse edhe interesat e saj vitale janë në lojë”, tha Shmyhal.

Megjithatë BE ende nuk ra dakord, se kur do të fillojnë formalisht bisedimet e anëtarësimit me një konferencë qeveritare të 27 vendeve anëtare plus Ukrainën. Për këtë nevojitet vendimi unanim. Hungaria e ka shtyrë vazhdimisht procesin e anëtarësimit të Ukrainës.

Me interesat bankare ruse financohen armët për Ukrainën

Pas një vendimi parimor në shkurt nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, Komisioni i BE-së prezantoi edhe planin se si përfitimet nga interesat e aseteve të ngrira ruse në BE duhet të vihen në dispozicion të Ukrainës.

Bëhet fjalë për përfitimet e Rusisë nga interesi prej rreth tre miliardë euro në vit, të cilat krijohen nga aktivet e bankës shtetërore ruse në ofruesin belg të shërbimit financiar Euroclear. Asetet e bankës shtetërore ruse që arrinin pothuajse 200 miliardë euro janë ngrirë atje nga sanksionet e BE-së dhe nuk mund të tërhiqen apo transferohen më nga Banka Qendrore e Rusisë.

Bashkimi Evropian refuzon një konfiskim të plotë të këtyre fondeve, siç kërkohet nga Ukraina, për shkak të problemeve të mundshme ligjore dhe dëmtimit të besimit të investitorëve ndërkombëtarë në zonën e euros. Pas diskutimeve të gjata, shtetet e BE-së ranë dakord të konfiskojnë të paktën fitimet nga investimet ruse.

Që tani e tutje, këto do të paguhen në një buxhet të posaçëm, të ashtuquajturin “Facilimenti Evropian i Paqes”. Shtetet anëtare të BE-së e përdorin këtë fond për të financuar dërgesat e armëve në Ukrainë. Deri më tani, fondi përmban pesë miliardë euro nga kontributet e shteteve të BE-së.

Duhet të merren parasysh shqetësimet nga Banka Qendrore Evropiane se përdorimi i fondeve ruse nga Euroclear mund të çojë në vështirësi financiare për kompaninë private belge dhe në fund të fundit në një krizë të madhe financiare. Kjo i lejon Euroclear të mbajë një pjesë të të ardhurave nga asetet ruse si garanci për të financuar pretendimet nga investitorët e tjerë dhe procedurat e mundshme ligjore.

BQE ka frikë se bankat kineze ose investitorë të tjerë të mëdhenj mund të tërheqin aktivet e tyre nga Euroclear dhe, në rastin më të keq, kompania do të duhej të shpëtohej nga shteti belg. Kjo nga ana tjetër mund të çojë në një krizë financiare në zonën e euros.

Përveç kësaj, Rusia si kundërpërgjigje mund të konfiskojë asetet nga Euroclear. Rreth 33 miliardë euro nga ofruesit e shërbimeve financiare belge thuhet se kanë mbetur në Moskë. Me nxitjen e BQE-së, BE-ja dëshiron vetëm të tregtojë së bashku me vendet e tjera të industrializuara perëndimore në G7, sepse banka shtetërore ruse ka asete edhe në SHBA, Japoni dhe Britani të Madhe, megjithëse në një masë më të vogël.

Moska flet për “vjedhje”

Gjermania hoqi dorë nga rezistenca e saj ndaj këtij modeli. Belgjika ka njoftuar se do të transferojë në Ukrainë tatimin mbi kapitalin prej 25 për qind mbi fitimet ruse. BE-ja po hap terren me përdorimin e mundshëm të parave ruse për të financuar shitjet e armëve në Ukrainë.

Deri tani, konfiskimi i aseteve të huaja të bankave shtetërore ka ndodhur vetëm pas përfundimit të luftërave, për shembull pas Luftës së Parë të Gjirit të Irakut kundër Kuvajtit në 1991 ose pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Reagimi nga Moska nuk vonoi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se po shkatërrohet reputacioni i Perëndimit si një vend i sigurt për investime. “Dëmi është i pakundërshtueshëm. Njerëzit dhe shtetet që marrin vendime të tilla sigurisht që do të jenë objekt i ndjekjes penale për shumë dekada,” tha Peskov. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse foli për “banditizëm dhe vjedhje”.

Tarifat për produktet bujqësore nga Ukraina

Të mërkurën (20.03) vendet anëtare të BE-së ranë dakord të zgjasin importet pa taksa të mallrave nga Ukraina edhe për një vit. Megjithatë, për shkak të presionit të fermerëve protestues, disa produkte bujqësore, si mjalti, vezët, shpendët, sheqeri, misri dhe tërshëra, duhet të përjashtohen. Tarifat e importit në BE mund të paguhen sërish për këto produkte nga qershori nëse importet tejkalojnë sasi të caktuara, shkruan DW, transmeton KosovaPress.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal ishte i kënaqur me vendimet, sepse Ukraina nuk do të arrinte gjithsesi kufijtë e sipërm të vendosur për produktet kritike. Kufiri i sipërm bazohet në vlerat mesatare për vitet 2022 dhe 2023. Mbetet për t’u parë nëse fermerët polakë që po bllokojnë kalimet kufitare për shkak të konkurrencës së lirë nga Ukraina mund të qetësohen./ DW

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024