Pas zgjedhjeve të 3 prillit, në përbërjen e re të Kuvendit të Serbisë do të hyjnë tri koalicione opozitare të krahut të djathtë dhe partitë që janë skeptike ose kundërshtojnë hapur anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Koalicioni NADA (Shpresa), i cili përbëhet nga Partia Demokratike e Serbisë (DSS), me një pjesë të Lëvizjes për Ripërtëritjen e Mbretërisë së Serbisë, fitoi 15 mandate, e ndjekur nga lëvizjet e ekstremit të djathtë Dveri dhe Zavetnici (Të betuarit) me nga 10 mandate.
Përballë tyre janë koalicioni opozitar pro-evropian “Të bashkuar për fitoren e Serbisë” me 37 mandate, si dhe koalicioni i majtë i gjelbër “Moramo” (Ne duhet) me 13 ulëse të deputetëve.
Edhe pse Partia Progresive Serbe (SNS) fitoi numrin më të madh të vendeve në Kuvendin e Serbisë (120), udhëheqësi i saj dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha pas shpalljes së rezultateve, më 3 prill, se Serbia kishte “lëvizur në mënyrë dramatike në të djathtë”.
Në ulëset e deputetëve kthehet e orientuara e djathtë, Partia Demokratike e Serbisë, në krye të së cilës dikur ishte Vojisllav Koshtunica, i cili në vitin 2000, në zgjedhjet për president të Republikës Federale të Jugosllavisë e mundi Sllobodan Millosheviqin. Në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2020, kjo parti nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor.
Udhëheqësi i tyre, Millosh Jovanoviq, konsideron se kërcënimi për interesat kombëtare të Serbisë vjen nga Perëndimi dhe nga NATO-ja, kur bëhet fjalë për Kosovën, Republikën Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për pozicionin e popullit serb në Mal të Zi.
Në parlament po rikthehet edhe koalicioni rreth lëvizjes së ekstremit të djathtë Dveri. E udhëhequr nga Boshko Obradoviq, kjo lëvizje hyri për herë të parë në parlamentin republikan në vitin 2016 dhe në vitin 2020 iu bashkua një pjese të opozitës në bojkotimin e zgjedhjeve.
Dveri angazhohet kundër hyrjes së Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, “hyrjes së emigrantëve ilegalë” në territorin e Serbisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Ata e shohin Rusinë si “garantuese të ruajtjes së Kosovës në kuadër të Serbisë”.
Ata e kundërshtojnë anëtarësimin në BE dhe e konsiderojnë Rusinë “garantuesin më të fortë të ruajtjes së sovranitetit” të Serbisë.
Të tria opsionet e krahut të djathtë, në fushatën zgjedhore mbrojtën një qëndrim të favorshëm ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës dhe kritikuan qeverinë për shkak se iu bashkua dënimit në Kombet e Bashkuara të agresionit rus.
Deri në publikimin e këtij teksti, liderët e tri partive të djathta nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.
Cili do të jetë ndikimi i tyre?
“Natyrisht, këto zgjedhje treguan se Serbia shkoi djathtas. Ata janë rusofilë, nuk janë të djathtë dhe e kaluan pragun zgjedhor sepse shpërtheu lufta (në Ukrainë) dhe siç tha presidenti Vuçiq, ata askush nuk i sulmoi”, tha Shormaz për Radion Evropa e Lirë.
Natën e zgjedhjeve, më 3 prill, Vuçiqi tha se lufta në Ukrainë kishte “një ndikim të madh në rezultatet e zgjedhjeve”.
Mbështetje Rusisë i kanë dhënë edhe mediat e afërta me SNS-në në pushtet, ndërkaq që rritje në raport me rezultatet e zgjedhjeve paraprake kanë shënuar edhe partnerët e tyre të koalicionit nga radhët e socialistëve.
Kjo parti (Partia Socialiste e Serbisë) është konsideruar me orientim pro-rus që nga themelimi i saj në vitin 1990 dhe lideri i saj i parë, Sllobodan Millosheviq, ndërkaq raportet e mediave tregojnë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka insistuar gjithmonë, pas dyerve të mbyllura, që ata të jenë pjesë e pushtetit në Serbi.
Drejtori i ndërmarrjes shtetërore “Serbijagas”, Dushan Bajatoviq, iu bashkua liderit socialist dhe kryetarit të deritashëm të Kuvendit, Ivica Daçiq, i cili edhe para qëndrimit zyrtar të shtetit, tha se Serbia nuk guxon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë.
Megjithëse politika zyrtare e Beogradit është rruga kah Brukseli, Serbia nuk u është bashkuar sanksioneve evropiane ndaj Rusisë dhe nuk i ka përmbushur detyrimet e saj për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me politikën e BE-së.
Dragan Shormaz është i vetmi përfaqësues i SNS-së që mbron publikisht një kurs të unifikuar të Serbisë drejt BE-së dhe NATO-s. Ai konsideron se pushteti i partisë së tij, për shkak të luftës në Ukrainë, do të përballet me zgjedhje se kah do të pozicionohet.
“Shumica e madhe e anëtarëve të SNS-së janë në favor të asaj me të cilën unë nuk jam pajtuar dhe kjo është politika me katër shtylla, pra, që të jemi të mirë me të gjithë. Mendoj që koha e neutralitetit ka kaluar dhe ky do të jetë problemi më i madh për qeverinë e ardhshme. Si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të kemi një problem të madh”, theksoi Shormaz.
“Mendoj se edhe ky ishte një vlerësim i keq, sepse do të shoh se kush do të mund të luftojë në mënyrën e duhur për Serbinë evropiane në parlament. E vetmja politikë korrekte dhe e mirë është Serbia në botën euroatlantike, ai është mjedisi ynë. Nuk kemi zgjidhje më të mirë”, theksoi ai.
Çfarë do të bëjë opozita pro-evropiane?
“Shumë më e rëndësishme se shfaqja e ekstremit të djathtë apo të qendrës së djathtë, është çështja se si dukej fushata e koalicionit ‘Të bashkuar për fitoren e Serbisë’, i cili ishte shumë centrist, madje i orientuar kah e djathta. Mua më duket se mungesa e një opsioni qytetar më të qartë pro-evropian liberal, është problem më i madh”, tha për Radion Evropa e Lirë, më 3 prill, Dushan Spasojeviq nga Fakulteti i Shkencave Politike të Beogradit.
Liderët e listës “Të bashkuar për fitoren e Serbisë” nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, ndërkaq kandidati i tyre për president, Zdravko Ponosh, tha në fushatë zgjedhore se mbështet rrugën e Serbisë drejt BE-së, porse marrëdhëniet speciale me Moskën dhe Pekinin nuk duhet të sakrifikohen.
Ajo e quajti sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës një agresion që çoi në një katastrofë humanitare.
Anëtarët e këtij koalicioni morën pjesë në protestat në Beograd, në mbështetje të Ukrainës.