Rusët vazhdojnë likuidimin e disidentëve çeçenë

Rusët vazhdojnë likuidimin e disidentëve çeçenë

Më 26 shkurt në Poloni, në banesën e tij, ishte sulmuar blogeri i mirënjohur çeçen, Tumso Abdurahmanov.

Sulmuesi ishte munduar ta vriste Abdurahmanovin me çekan, por kishte dështuar, pasi që Abdurahmanov kishte arritur të mbrohet dhe t’i ikte sulmuesit. Sulmuesi i kishte pranuar Abdurahmanovit, se kishte ardhur nga Moska dhe është i detyruar ta vrasë, pasi që nëna e tij po mbahej peng në Moskë.

Shërbimet sekrete ruse në bashkëpunim me element kriminalë të liderit çeçen, Ramazan Kadirov, janë duke vazhduar likuidimin e disidentëve çeçenë, të cilët janë kritikë ndaj Putinit dhe liderit çeçen Ramazan Kadirov.

Nga viti 2004 e deri me tani, skuadrat ndëshkuese ruse kanë kryer 10 atentate, ndaj 11 disidentëve çeçenë. Sulmeve kanë arritur t’i shpëtojnë 4 disidentë çeçenë, ndërsa shtatë të tjerë kishin mbetur të vrarë në vend.

Atentatet pos në shtetet evropiane ishin kryer edhe në Turqi, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Radio Evropa e Lirë ka bërë një skemë me personat ndaj të cilëve është kryer atentati, vendin dhe kohën kur është kryer atentati.


Një nga rastet më të rënda dhe më të frikshme është rasti i 29 dhe 30 Janarit, ku në Lille të Francës, në një dhomë hoteli ishte vrarë me thikë, për t’u masakruar e gjymtuar më pastaj, opozitari çeçen Imran Aliev.

Aliev ishte me qëndrim në Belgjikë, por vrasja ishte bërë në qytetin francez të Lille, ku Aliev kishte shkuar me Usman Mamadayev, i cili kishte arritur ta bindte Alievin që të shkojnë për vizitë në Francë.

Për ta kryer vrasjen Mamadayev, kishte fluturuar nga Moska në Spanjë, ndërsa prej aty drejt Gjermanisë, për të shkuar më pastaj në Belgjikë ku edhe e kishte takuar Imran Aliev.

Të gjitha këto vrasje e tentim vrasje, e posaçërisht vrasja dhe masakrimi i kufomës së Imran Aliev, kanë një qëllim – që të përçohet mesazh i qartë, se kjo do t’i gjejë të gjithë ata që kundërshtojnë Kremlinin dhe marionetën e Putinit, Ramazan Kadirov.

Tendenca për të likuiduar fizikisht kundërshtarët edhe jashtë territorit rus, e përshkruajnë më së miri gjendjen që mbretëron brenda Rusisë, ku liria për t’u shprehur dhe për të vepruar duket se janë lukse të paarritshme dhe jo të drejta themelore si në çdo vend tjetër të botës perëndimore.

Nuk dihet nëse është e rastësishme apo jo, por data e atentatit të fundit ndaj Abdurahmanov, është vetëm një ditë nga përvjetori i pestë i vrasjes së liderit opozitar rus, Boris Nemtsov, i cili ishte vrarë në qendër të Moskës./rel

Lexo edhe

error: