Rukiqi: Qeveria po heziton ta pranoj krizën ekonomike në Kosovë, ka rënie të bashkëpunim me bizneset

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka deklaruar se i shqetëson neglizhenca e institucioneve të Kosovës për ta trajtuar në mënyrë më serioze krizën që e ka prekur krejt globin, përfshirë edhe vendin tonë. E derisa ka folur për inflacionin, ka shtruar pyetjen se çfarë nëse shkon në stagflacion. (situatë në të cilën norma e inflacionit është e lartë, norma e rritjes ekonomike ngadalësohet dhe mund të përkeqësojnë papunësinë).

Rukiqi në fund të mandatit të tij ka folur për KosovaPress, rreth sfidave me të cilat po ballafaqohen bizneset, bashkëpunimin me institucionet, çështjen e çmimeve të naftës dhe marrëveshjet në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

I pyetur për gjendjen aktuale në të cilin po kalon vendi me ngritje të inflacionit, i cili tashmë është 11.2 për qind, Rukiqi ka thënë se Qeveria aktuale nuk është duke e pranuar se vendi është në gjendje jo të mirë ekonomike.

Sipas tij, Qeveritë e vendeve tjera dhe bizneset janë ulur së bashku për t’i diskutuar problemet e këtyre të fundit, por kjo nuk ka ndodhur edhe në vendin tonë, gjë që mund të krijohen dëme të pariparueshme.

“Neve po na shqetëson pak neglizhenca e institucioneve me e trajtuar në mënyrë më serioze këtë krizë, me adresuar që ka një krizë fillimisht duhet me pranuar që ka një krizë, ka pak një hezitim të qeverisë me adresuar si krizë dhe, unë mendoj që kjo është natyra e problemit, pastaj te specifikat e problemit apo si mund të trajtohet një krizë, ka shumë mekanizma në radhë të parë do të ishte një mekanizëm mes sektorit privat dhe qeverisë për me diskutuar në baza të rregullta këtë çfarë po ndodhë dhe kjo po bëhet praktikë në të gjitha vendet, ulën kompanitë, ulën akterët të rëndësishëm të tregut, ulën shoqatat e bizneseve, ulën qeveria dhe diskutojnë modalitetet se si mund të dilet nga një situatë, e cila mund të krijon dëme të pariparueshme, tani për tani është inflacion, po çfarë nëse shkon në stagflacion e pastaj edhe në vende pune”, tha ai

Rreth rritjes së çmimit të naftës, Rukiqi ka deklaruar se fajtor për këtë nuk janë bizneset, ashtu siç po thuhet nga qeveria, por sipas tij, fajtor për këtë është importi me rritje të çmimit.

“Unë mendoj që Qeveria duhet ta pranoj si krizë, jo si krizë që e ka shkaktua kjo Qeveri apo ajo, si krizë e rrethanave e faktorëve të jashtëm por nëse nuk trajtohet si krizë, atëherë është problem me i marrë edhe masat adekuate dhe shpesh herë në situata të tilla tentohet si me thënë me u vendos faji diku tjetër p.sh., si te rasti i naftës, sjellja është sikur fajin e kanë tregtarët se nuk është ky problem i natyrës tjetër. Nuk është problem i tregtarëve, është problem i importit, importi është i shtrenjtë, shumë më i shtrenjtë tani, ndërkohë në të njëjtën kohë, te ne ajo që e ngarkon importin p.sh., TVSH-ja, apo pjesa që e ngarkon çmimin e naftës akciza, nuk janë në tavolinën e diskutimeve, pra një pjesë që është përgjegjësi e Qeverisë nuk është në tavolinën e diskutimeve, sikur tentohet me u përfol përfitimet e tregtarëve por në të njëjtën kohë nuk është kjo natyra e problemit, natyra e problemit është që kemi një krizë globale. Vendet e tjera kanë vepruar me instrumentet fiskale me e zbut barrën jo për tregtarët por për qytetarin ” ka thënë Rukiqi  

Këtë vit ndryshe nga vendet e tjera, Serbia po prinë me importin më të lartë në vendin tonë. Sipas Berat Rukiqit, institucionet duhet të bëjnë më shumë punë që të rriten imputet vendore duke parë në cilat produkte kemi nevojë.

“Ne do duhet sidomos me Serbinë por edhe me vendet e tjera, me pa mundësinë se ku mundemi me zëvendësua importet me produktet tona, disa produkte thjeshtë janë të pazëvendësueshme, ndoshta se ka mungesë të imputeve vendore për me i prodhua ato, unë mendoj që ka hapësirë të punohet dhe, ta ulim deficitin tregtar edhe me Serbinë por edhe me vendet e tjera.


E sa i përket bashkëpunimit Qeveri-Oda Ekonomike dhe biznese, sipas Rukuqit, kryeministri Kurti del të jetë më i mbylltë për të parë nga afër problemet në të cilat kalojnë bizneset e vendit por edhe organizatat.

“Ende është një vit prej që e kanë marrë mandatin por sigurisht, ka një ngadalësim, ose më mirë me thënë ka një rënie të intensitetit të bashkëpunimit mes biznesit dhe institucioneve publike në këtë mandat, shpresoj se kjo do të përmirësohet si çdo qeveri që vjen në fillim i ka pak ato kokë-fortësinë e veta por megjithatë shpresoj që me kohën edhe mund të përmirësohen, do t’i jap mendimet e mija në një konstilacion tjetër dhe do të flas konkretisht se çfarë duhet të bëhet dhe çka mundë të bëhet dhe çfarë nuk është bërë si nga kjo qeveri, si dhe nga qeveritë e tjera” ka deklaruar Rukiqi.

Ai ka komentuar edhe marrëveshjet e nënshkruar ditë më parë më mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Kësaj here e kisha veçuar marrëveshjen për hekurudhën, po mendoj studimin e fizibilitetit, pasi që duhet ta shohim studimin e fizibilitetit me pa, a ka arsyeshmëri ekonomike, ky projekt dhe ajo që u prezantua d.m.th. një zhvillim i ri sa i përket transportit dhe sa i përket logjistikës. Janë dy sektor të rëndësishme për çfarëdo zhvillimi ekonomik dhe që lidhet me portin detar porto roman Shqipëri dhe Portin e Thatë apo ajo që po njihet si një port si aneks Porto romanes në Kosovë” ka thënë Rukiqi

Pas katërmbëdhjetë viteve në pozita të ndryshme në Odën Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi ka treguar eksperiencat e tij ndër vite. Ai për KosovaPress thotë se ndërrimi i qeverive dhe gjendja me pandeminë, kanë qenë momentet më të jashtëzakonshme për atë.

“Ka qenë i jashtëzakonshëm edhe për një arsyeje tjetër sepse vendi ka kaluar në stabilitet jopolitik kur kam ardhur, e kam gjetur një qeveria, pastaj ka pasur zgjedhje, ka ardhur një qeveri tjetër. Qeveria Kurti 1, pastaj ka qenë një Qeveri, pasi që u rrëzuar Qeveria e udhëhequr nga z. Kurti, dhe në fund pastaj prapë zgjedhjet edhe një Qeveri tjetër apo një kryeministër që ka qenë por megjithatë me një konstilacion tjetër qeveritar. Në këtë punën tonë ne që e bëjmë në këtë udhëheqjen e një organizate biznesore, kërkohet komunikim i rregullt me pjesën publike apo institucionet publike, në këtë rast në radhë të parë me qeverinë, kjo është ndër sfidat kryesore për arsyeje se ka ndryshime të shpeshta, po supozojmë që e fillojmë një reformë të mirë fiskale me një ministër, pastaj nëse nuk përfundon reforma vjen ministri tjetër”, tha ai.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet të cilat do të mbahen edhe pak muaj për të parin e Odës Ekonomike.

“Duhet të jetë dikush që e njeh natyrën e funksionimit të organizatave të biznesit, dikush që mund të balancoj mes interesave të ndryshme, për arsyeje se këtu janë grupe të interesit dhe duhet me i balancuar, nuk mund të marrësh anë, jo gjithmonë e mbërrin bilancin perfekt por së paku me siguruar një normë të lartë të balancimit të interesave, duhet të jetë i fokusuar për të krijuar raporte me institucionet e vendit, me aq sa ka mundësi, ndoshta prej kësaj ane ekziston vullneti por nuk ekziston vullneti prej anës tjetër por duhet me pas përpjekje maksimale, duhet ta ketë një ekip mix” ka thënë Rukiqi.

Rukiqi në fund të intervistës për KosovaPress, ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe dy javë deri te përzgjedhja e delegatëve, ku do të bëhen të ditur edhe kandidatët për kryetar të Odës Ekonomike.

Lexo edhe

Video