Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Rukiqi: Për shpëtimin e Telekomit, bordi i ri duhet të merr vendime profesionale dhe jo të lehta

Rukiqi: Për shpëtimin e Telekomit, bordi i ri duhet të merr vendime profesionale dhe jo të lehta

Emërimet e bordeve në kompani publike dhe në agjenci të pavarura nga qeveria e re, kërkohet të jenë profesionale për shpëtimin e disa ndërmarrjeve të cilat janë buzë falimentimit dhe barrë financiare për ekzekutivin.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thekson se bordet që emërohen tash dhe ato që janë, e kanë detyrë ta sigurojnë qeverisjen korporatave në ndërmarrje dhe të ndalin çdo rrezik financiar për ndërmarrjen, raporton KosovaPress.

Sipas Rukiqit deri tash disa borde ekzistuese nuk e kanë luajtur këtë rol, prandaj thotë se nëse nuk kryhen këto detyra nga bordet profesionale, vështirë të shpëtohen kompanitë, siç është edhe rasti i Telekomit të Kosovës.

“Bordet që caktohen duhet ta kuptojnë që i kanë vetëm këto dy detyra, të sigurohet qeverisja korporative nëpër ndërmarrje dhe për ta siguruar që ndërmarrja nuk rrezikohet financiarisht. Deri tash çka kemi parë, veç këtë rol nuk e kanë luajtur, po flas për shumicën, sepse ka pasur raste kur është luajtur roli dhe ndërmarrja ka pasur performancë, ta zëmë kemi rastin e KEK-ut. Ama në shumicën këtyre ndërmarrjeve bordet vetëm këto dy role nuk i kanë luajtur. Psh. Kanë qenë të përziera në prokurime që nuk është punë e bordit të përfshihet në prokurime, kanë qëen të përziera në politika operacione që nuk është punë e bordit në bazë të ligjit për ndërmarrjet publike… Qeveria menaxhon me ato përmes bordeve që duhet ta ruajtnë interesin publik. Kjo është logjika, por pavarësisht që janë ndërmarrje publike ato duhet të menaxhohen si ndërmarrje private. Nëse nuk je profitabil, ka shpenzime më shumë se që ka të hyra, duhet të zvogëlohen shpenzimet, kjo i bie që duhet me marrë vendime jo edhe të lehta, por nëse dëshirojmë t’i shpëtojmë ato ndërmarrje, duhet këso lloj vendimesh”, thotë Rukiqi.

Për shpëtimin e Telekomit të Kosovës, i cili deri tash nuk ka rrugëdalje për tejkalimin e krizës, kreu i OEK-ut, Rukiqi ka dhënë dy rekomandime profesionale, sipas të cilit kërkohet garanci sovrane për modernizim të teknologjisë ose duke lejuar futjen e kapitalit privat përmes privatizimit. 

“Telekomi është i rrezikuar komplet dhe nuk e ka një rrugë dalëse, edhe realisht nëse veprohet prapë me qeverisje korporatave, me këso lloj logjike të shpenzimeve, pothuajse është vonë… Unë e thash çka duhet bërë, nëse e bëjnë këtë gjasat janë me i shpëtuar, nëse jo, mund të ketë probleme të cilat edhe mund të mos e marrin epilogun. Te Telekomi, qeveria megjithatë duhet të mendoj pas një ristrukturimi përmes një pune të mirë të bordit, nëse e bën punën si duhet, ta merr një konsulencë nga BERZH-i ose nga institucionet tjera financiare që ta përgatit një strukturë financiare për kompaninë dhe në këtë bazë të shikoj mundësitë në dy mënyra, një, përmes garancive sovrane për ta modernizuar teknologjinë dhe dy, duke lejuar futjen e kapitalit privat për të pasur një kapital të freskët”, thekson ai.  


Qeveria e Kosovës ditë më parë ka emëruar bordin e ri drejtues të Telekomit të Kosovës. Drejtues i këtij bordi është Shpëtim Dobra, anëtarët Sajnije Thaqi, Mimoza Vila, Florina Jerliu, Agim Muqaj, Remzi Kelmendi. Po ashtu, ekzekutivi ka propozuar edhe emrat e bordit të ri për ARKEP-in.

Ndërkohë, kryetari i OEK, Berat Rukiqi në një intervistë për KosovaPress, ka folur edhe për gjendjen e rëndë të kompanive private, i cili thotë se rimëkëmbja ekonomike nuk mund të bëhet pa vaksinimin e qytetarëve.

Rukiqi ka kërkuar përkushtim dhe përpjekje nga Qeveria që ta ketë nën kontrollin pandeminë gjatë verës për të mos pasur kolaps ekonomik, pastaj në vjeshtë e që mund ta rrezikojë buxhetin dhe kompanitë. 

“Ne nuk mund të flasim tani për asnjë rimëkëmbje dhe rikuperim nga pasojat e pandemisë pa vaksinim. Këtë e ka thënë edhe qeveria, dhe Ministria e Financave, se nuk mund të flasim për masa konkrete, duke e parë këtë situatë dhe emergjencën shëndetësore… Përderisa kemi 6 përqind rënien ekonomike dhe nëse këtë vit kanë qenë projeksionet për 4 përqind, duhet të rishikohen, sigurisht që ka pasur prapë ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend… Nëse ka trendë edhe me 3 përqind të rritjes ekonomike, në versionin më optimist po themi se në qoftë se pandemia vendoset në kontroll brenda këtij viti, sigurisht edhe vitet tjera do të jenë me sfida të pasojave të pandemisë në ekonomi. Ajo që duhet të bëhet përpjekje është që mos të kemi një kolaps në vjeshtë, i cili pastaj mundet ta rrezikoj edhe buxhetin, edhe kompanitë, prandaj, kërkohet që të shpëtojmë verën”, thekson Rukiqi.

Kreu i OEK ka treguar se kanë shënuar rënie pritjet pozitive të bizneseve për me krijuar vende të reja të punës për vitin 2021, për kundër që numri i të rinjve në tregun e punës po rritet për çdo vit.

Lexo edhe

Video

error: