“Rruga e përgjakshme” Podujevë-Prishtinë, Aliu: S’ka kushte klimatike për punime

Për zvarritjet e vazhdueshme të punimeve në rrugën Podujevë-Prishtinë, arterie kjo që është bërë “e përgjakshme” për qytetarët e Llapit, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu duke iu përgjigjur deputetit të AAK-së Besnik Tahiri, ka thënë se për shkak të motit të ligë nuk kanë përfunduar punimet finalizimit të segmentit të dytë në këtë magjistrale.

Ministri Aliu tha se përveç motit të ligë, për finalizimin e punimeve të këtij projekti, ka pasur probleme të shumta edhe kontraktuale dhe të shpronësimeve.

Në deklarimet jashtë rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti Tahiri duke pyetur ministrin në fjalë për premtimet e dhëna në vjeshtën e kaluar për realizimin e punimeve në segmentin e dytë, tha se vetëm në tre muajt e fundit në magjistralen Prishtinë-Podujevë ka pasur disa aksidente me fatalitet.


“Kur do të përfundojë projekti për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, për shkak se vetëm në tre muajt e fundit në magjistralen Prishtinë-Podujevë që është shumë e ngarkuar, ka pasur aksidente me fatalitete, pra me humbje të jetës së njerëzve? Ka një komunikacion shumë të dendur, është një arterie shumë e rëndësishme. Pra, a ka mundësi të na jepni një përgjigje se kur do të përfundojë meqenëse më 7 tetor, kur është bërë zotimi, nuk ka ndodhur asnjë përfundim i kësaj pune”, ka pyetur Tahiri. 

Ministri Aliu ka thënë se për këtë projekt ka pasur anomali të shumta që e kanë vonuar realizmin e segmenteve të rrugës Podujevë-Prishtinë. Ai premtoi se porsa të përmirësohen kushtet klimatike, brenda 30 ditësh do të përfundojnë punimet e segmentit të dytë.

“Kemi pritur t’i përfundojmë punimet brenda këtij viti, por për shkak të motit të ligë nuk mund të kryhen punimet. Në momentin që hapet mundësia me kushtet klimatike, brenda një 30-ditëshi mund të realizohen finalizimet e të gjitha punimeve. Ka pasur probleme të shumta të natyrave teknike edhe kontraktuale dhe ka probleme të tjera për të cilat duhet të merremi një për një dhe t’i zgjidhim. Po ashtu, ka probleme edhe te shpronësimet. Ka pasur tender për rrënimin e urës, por nuk ka pasur tender për t’u ndërtuar ura. Anomali të tilla e kanë përcjellë jo vetëm këtë projekt, por edhe projekte të tjera”, tha ai.

Ndryshe, në rrugën Prishtinë-Podujevë ndodhin aksidente të shumta komunikacioni, ku vetëm në fillim të këtij viti kanë humbur jetën tre persona.

Lexo edhe

Video