Rritje të rasteve të dhunës seksuale, kërkohet efikasitet i institucioneve të drejtësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë efikasitet në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, pasi sipas saj, është shqetësuese trendi i rritjes së kësaj dukurie negative në tri vitet e fundit.

Në prezantimin e raportimit monitorues të EULEX për dhunën seksuale, ku dolën në pah zvarritja e seancave gjyqësore dhe dënimet e buta për rastet e dhunës seksuale, e para e shtetit, theksoi nevojën për angazhim më të madh edhe në parandalimin çfarëdo dhune, e veçanërisht asaj seksuale.

“Sot jam këtu për të bërë thirrje për një rol shumë më proaktiv të institucioneve tona në parandalim, veçanërisht hetim, ndjekje penale dhe gjykim të veprave penale të dhunës ndaj grave, sidomos dhunimeve të cilat mund t’i prekin jo vetëm gratë por edhe viktimat meshkuj dhe fatkeqësisht edhe fëmijët e dy gjinive. Është lajm i mirë që siç ka gjetur raporti, infrastruktura ligjore e vendit tonë del të jetë e një standardi të lartë, në kuptimin e përputhshmërisë së legjislacionit evropian dhe ndërkombëtar për hetim dhe ndjekje penale të dhunës seksuale. Kjo na bën të mendojmë se intervenimet e nevojshme janë veprime që institucione tona mund t’i fillojnë dhe t’i bëjnë sa më shpejt të jetë e mundur, pa pasur nevojë të ketë ndryshime legjislative. Megjithatë është shqetësuese trendin e rritjes së vazhdueshme të rasteve të dhunës seksuale në vendin tonë”, tha ajo.

Shqetësuese sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është se 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale në tri vitet e fundit janë të mitur. Megjithatë, ajo tha se e kanë prioritetizuar adresimin e dhunës në familje, dhunës seksuale, psikike dhe materiale.

“Ministria e Drejtësisë konsideroi se si asnjëherë më parë e ka bërë prioritet adresimin e dhunës në familje, dhunës seksuale, psikike, materiale. Në këtë drejtim jemi duke punuar shumë që secilën prej përgjegjësive që kanë institucionet të adresohet siç duhet”, tha ajo.

Ndërsa,shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemar, tha se i njëjti është përpjekje për të mbështetur institucionet e Kosovës në adresimin e dhunës seksuale ndaj grave dhe dhunës në përgjithësi.

“Ky raport është pjesë e një përpjekje të përgjithshme të EULEX për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në adresimin e dhunës kundër grave në përgjithësi dhe dhunimit në veçanti. Kjo është në përputhje me kriteret e konventës së Stambollit”, tha ai.


Angazhim më efikas në këtë drejtim premtuan krerët e institucioneve të drejtësisë.

Megjithatë, zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, si sfidë e përmendi se rastet e dhunës seksuale po raportohen vonë dhe se provat po humbin.

“Jemi shumë të vetëdijshëm se ende kemi hapësirë për përmirësim dhe zhvillim të mëtutjeshëm. Rekomandimet e dala nga ky raport reflektojnë këtë situatë dhe rekomandimet do të merren seriozisht nga ana jonë dhe do të adresohen. Sfidat në trajtimin e rasteve kundër integritetit seksual, përkatësisht rastet e dhunimit janë të shumta për arsye se shumë prej këtyre rasteve denoncohen vonë, provat humbin dhe ekzaminimet shëndetësore nuk japin rezultat, e vetmja provë që mbet është deklarata e viktimës”, tha ai.

Kurse, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se për rastet e dhunës seksuale duhet koordinim ndërinstitucional.

“Ajo që është e rëndësishëm dhe mbetet si nevojë është koordinimi i institucioneve dhe bashkërendimit, është hetimi cilësor. Në radhë të parë çështja e efikasitetit të gjitha institucioneve të këtyre rasteve, pasi raporti tregon se ka mungesa të theksuara në adresimin e këtyre rasteve”, shtoi ai.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se kanë disa prioritete në trajtimin e këtyre veprave penale.

“Për të luftuar dhunën seksuale dhe veprat penale që ndërlidhen me integritetin seksual është e nevojshme ndërmarrja e një sërë veprimeve dhe masave esenciale parandaluese nga institucionet…Policia e Kosovës ka disa prioritete në trajtimin këtyre veprave penale, fillimisht në mbrojtjen dhe sigurinë dhe ofrimin e një hetimi profesional”, theksoi ai.

Në bazë të raportit të EULEX, në tri vitet e fundit janë raportuar 228 raste të cilësuara si dhunim. Në vitin 2021 ka pasur 107 raste, në krahasim me vitin 2019 është një rritje prej 67 për qind.

Lexo edhe

Video