Rritje të ngadalësuar ekonomike Kosova do të ketë edhe në vitin 2023. Norma e kësaj rritjeje për këtë vit, sipas ekspertëve të ekonomisë pritet të jetë mes 3 dhe 4 për qind.
Kjo rritje ekonomike po cilësohet si e pamjaftueshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për uljen e papunësisë. Madje vlerësohet se nëse ky trend vazhdon kështu, edhe niveli i migrimit do të rritet.

Drejtoresha ekzekutive e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), Zana Beqiri thotë për KosovaPress, se vendi ka shënuar ngecje ekonomike këtë vit.
Beqiri thekson se pavarësisht që Kosova ka mundësi shumë të mira të zhvillohet ekonomikisht, shton se qeveria nuk është ka seriozitet për punë në këtë drejtim.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna thekson për KosovaPress, se parashikimet për rritje ekonomike këtë vit janë 3.5 deri 3.7 për qind.
Këto parashikime, sipas tij janë edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Ndërkaq, profesori i ekonomisë, Florin Aliu ka akuzuar qeverinë për mungesë të reformave të mirëfillta në vend. Sipas tij, rritja ekonomike në vend do duhej të ishte së paku dyfishi i asaj që është theksuar në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës për një normë deri 4 për qind.
Aliu derisa thotë se qeveria ka ngecur në zhvillimin ekonomik. Teksa shton se nëse qeveria nuk gjen mekanizma për të zhvendosur rritjen ekonomike, parametrat e tjerë janë krejtësisht të parëndësishëm.
Në vitin e kaluar vendi pati normën e Bruto Prodhimit Vendor (BPV) rreth 3 për qind.