Rritja e të hyrave, Bajrami-Kurtit: Është meritë e bizneseve, ti s’ke marrë asnjë vendim për ekonominë

Rritja e të hyrave, Bajrami-Kurtit: Është meritë e bizneseve, ti s’ke marrë asnjë vendim për ekonominë

Ish-ministrja e Financave nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Hykmete Bajrami ka reaguar ndaj deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se në 6 muajt e fundit ka pasur rritje të të hyrave si pasojë e qeverisjes së mirë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në një postim në Facebook, Bajrami shkruan se kryeministri Kurti me shifrat e paraqitura sot po i ofendon qytetarët e Kosovës.

“Kur fol me shifra duhet me qenë gjithëpërfshirës me i paraqitë të gjitha shifrat. Sot, shifrat për të cilët është dashur të flisni janë ato të të infektuarve dhe strategjia e qeverisë si më dalë nga kjo situatë. Po e ofendon çdo qytetar me këta numra dhe me këto lëvdata, e më së shumti je duke i ofenduar ata që vitin e kaluar e kanë blerë një litër vaj 99 cent e sot e blejnë 1.55 euro”, shkruan Bajrami.


Kurti sot më herët tha se ka 34% më shumë se vitin e kaluar të hyra nga tatimi në të ardhurat e korporatave, e që sipas Bajramit kjo është normale, pasi që vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur për shkak të pandemisë me koronavirus dhe  shumica e korporatave s’kanë pasur mundësi të punojnë nga 11 mars-5 qershor.

“Normal se ka 37% më shumë TVSH të mbledhur se vitin e kaluar, sepse vitin e kaluar vendi ka qenë i mbyllur. Normal se ka 95% më shumë tatim në pronë të mbledhur këtë vit sepse vitin e kaluar qytetarët për shkak të mbylljes as që kanë pasur mundësi ta paguajnë tatimin në pronë”, shkruan tutje Bajrami.

Ajo ndërkaq ka pyetur kryeministrin se si po e shpërndan pakon e ringjalljes 420 milionë euro, si do të zhvillohet mësimi nga data 1 shtator, si ka mundësi që Kosova është vendi me më se paku të vaksinuar në rajon, kush i ka “meritat” për 1300 të infektuar në ditë, a po shkon vendi drejt mbylljes totale dhe nëse do t’i ndihmojë bizneset e qytetarët kur të mbyllet vendi si pasojë e pandemisë.

“Trego për të ardhmen, se në ekonomi krejt çka po ndodh është meritë e madhe e bizneseve, qytetarëve, konsumit që vjen nga prezenca e mërgimtarëve tonë, masave të rimëkëmbjes ekonomike të qeverisë se kaluar dhe natyrisht inflacionit. Asnjë vendim nuk keni marrë që ndihmon ekonominë, asnjë”, përfundon reagimi.

Lexo edhe

Video

error: