Rritet interesimi për vaksinim, rreth 14% e popullatës të imunizuar me dy dozat ndaj COVID

Ofrimi i mundësisë për vaksinim të grupmoshave të ndryshme ka rritur interesimin e qytetarëve për t’u vaksinuar kundër COVID-19. Deri më tani në Kosovë janë vaksinuar me dozën e parë 25 % e qytetarëve, ndërsa edhe dozën e dytë e kanë marrë rreth 14%. Me këtë ritëm të vaksinimit nga Ministria e Shëndetësisë thonë se deri në fund të vitit do të arrijnë që ta realizojnë objektivin e tyre për imunizim të 60% të popullatës.

Në një intervistë për KosovaPress, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti thotë se autoritetet shtetërore kanë krijuar mundësi të mira për vaksinim.

“Duke qenë që Ministria e Shëndetësisë ka hequr çdo kufizim të moshës për vaksinim të qytetarëve me vaksinën dhe u ka mundësuar të gjithë qytetarëve mbi moshën 18 vjet që të vaksinohen interesimi i vaksinimit kundër COVID-19 është rritur ndjeshëm. Këtyre ditëve shohim një interesim të madh të qytetarëve për t’u vaksinuar dhe ajo që është me interes është se shohim se po vaksinohen grupmoshat e reja dhe ky është një sinjal i mirë se nëse vazhdojmë me këtë ritëm qeveria e vendit, përkatësisht MSh do jetë në gjendje që ta përmbush objektivin për 60% të popullatës për ta vaksinuar deri në fund të këtij viti. Interesimi është rritur, ministria ka krijuar mundësi të mira për vaksinim për faktin se u ka ofruar mundësi që të zgjedhin vaksinën që duan ta marrin ka mundësuar edhe kombinim të vaksinave nëse duan ta bëjnë këtë qytetarët dhe procedurat për caktimin e terminëve janë fare të thjeshta”, tha ai.

Tutje, Hoti tregoi se deri më tani në Kosovë prijnë meshkujt për nga shifra e vaksinimit me 53%, ndërsa 47% e femrave janë vaksinuar kundër koronavirusit.

Ai thotë se komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të të vaksinuar, e pasuar nga Obiliqi, Fushë-Kosova, Gjakova e Kamenica.


“Sa i përket përqindje të vaksinimit, gjinia mashkullore është e vaksinuar me 53%, ndërsa femërore me 47% por këto janë karakteristika që i përgjigjen edhe strukturës gjinore të popullatës së Kosovës, ndërsa sa i përket grupacioneve që më së shumti janë vaksinuar deri më tani natyrisht personat e moshës mbi 65 vjeçare përbëjnë grupaconin e atyre që më së shumti janë vaksinuar, por ditëve të fundit shohim se ka rritje të vaksinimit edhe në grup-moshat më të reja prej 41 deri në 60, dhe gjithashtu ka një rritje të interesimit dhe rritje të numrit të vaksinuarve mbi moshën 18 vjeçare. Në kuptim të shtrirjes sipas qyteteve të procesit të vaksinimit duhet të veçonim si qytete apo komuna ku vaksinimi është duke ecur me ritme më të larta sidomos në Prishtinë, Obiliq, Fushë-Kosovë, Gjakovë, Kamenicë por përgjithësisht shumica e komunave kanë filluar të kenë ngritje ditëve të fundit”, theksoi Hoti.

Zëdhënësi i MSh-së për KosovaPress deklaroi se deri tani 25% e qytetarëve e kanë dozën e parë të vaksinës anit-COVID, ndërsa 14% janë imunizuar edhe me dozën e dytë të vaksinës.

“Ne mund të themi se me dozën e parë janë të vaksinuar diku rreth 25% e popullatës, me dozën e dytë përqindja shkon në 13 deri në 14% mirëpo këto përqindje duhet t’i ngirisim në ditët në vijim objektivi është që deri në fund të vitit 60% e popullsisë të jenë të vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 po flas për grupacionet që u takojnë grupmoshave dhe kategorive që duhet vaksinuar”, u shpreh zëdhënësi i MSh-së.

Meqenëse Kosova po shënon rritje të rasteve pozitive me koronavirus, ku kryesisht po dominon infektimi me variantin Delta, lidhur me mundësinë e ashpërsimit të masave, zëdhënësi i MSh-së, Faik Hoti thotë se kjo do varet nga situata epidemiologjike dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

“Çfarë hapash do ndërmerren do varet nga ecuria e mëtejme e situatës epidemiologjike do varet nga analiza e situatës që do i bëjë Instituti dhe nga rekomandimet që do jepen për Ministrinë e Shëndetësisë“, tha ai.

Vetëm në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar 110 raste të reja të infektimit me COVID-19, dhe 1 rast i vdekjes. Ndërsa, nga fundi i muajit mars kur ka nisur vaksinimi kundër koronavirusit e deri dje në Kosova janë vaksinuar mbi 445 mijë qytetarë, prej tyre dozën e parë e kanë marr mbi 289 mijë banor të Kosovës, ndërsa me dozën e dytë të vaksinës anti-COVID janë imunizuar mbi 155 qytetar. /B.Ibishi/

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: