Rriten importet, MINT fillon hetimet për ëmbëlsirat dhe biskotat nga Serbia

Për shkak të rritjes enorme të importit të mallrave nga Serbia, veçanërisht të produkteve konditorike, të cilat po i shkaktojnë dëm prodhuesve vendor në Kosovë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sot ka marrë vendim për hapjen e hetimeve zyrtare për masat mbrojtëse në importe për këto produkte.

Kështu ka thënë ministrja e këtij dikasteri, Rozeta Hajdari në një konferencë për media e cila bëri të ditur se kanë vërejtur që ka shumë importe së fundmi nga tregu i Serbisë dhe kryesisht ka rritje enorme te disa nga produktet konditorike.

Për këtë vendim hetimor, ajo theksoi se është bazuar në Ligjin për masat mbrojtëse në importe.


“Unë si ministre e MINT, duke u bazuar në Ligjin për masat mbrojtëse në importe, që bazohet kryesisht në parimet bazë të Organizatës Botërore të Tregtisë, dhe po ashtu nga praktikat më të mira ndërkombëtare, duke pasur parasysh edhe të gjitha parimet bazë që janë për të trajtuar në mënyrë të barabartë, të gjitha tregjet, të gjithë prodhuesit, ne kemi marrë vendim për hapjen e hetimeve zyrtare për importin e produkteve konditorike, ëmbëlsirave dhe biskotave të importuara nga Serbia, sipas Kodit TARIK H.S.19 05, e cila përfshinë një gamë të gjerë të produkteve. Ky vendim vjen pas rekomandimit të Departamentit të Tregtisë dhe pas konsultimeve në Komisionin për vlerësimin e masave mbrojtëse në importe, ku pas analizave të tyre të mirëfillta është ofruar baza e mjaftueshme se produktet e importuara në territorin e Republikës së Kosovës janë në sasi të rritur dhe kushtet e tilla po i shkaktojnë dëm dhe po i kërcënojnë po ashtu prodhuesit tonë dhe produktet e ngjashme ose konkurruese në Kosovë”, theksoi Hajdari.  

Ministrja e MINT ka thënë po ashtu se në bazë të analizave statistikore dhe bazës ligjore, ka një rritje të importit të këtyre produkteve të importuara nga Serbia 10 përqind, krahasuar me periudhën e njëjtë të viteve të kaluara.

“Gjatë nëntë mujorit të vitit 2021, importi I këtyre produkteve përbën 29 përqind të importit total krahasuar me periudhën e vitit të kaluar, ku është shënuar një rritje prej 10 përqind. Ndërsa, eksporti i Kosovës në Serbi për të njëjtën periudhë kohore gjatë vitit 2020 dhe 2021 është vetëm 1 përqind nga eksporti total I këtyre produkteve nga Kosova. Vlen të theksohet se sipas nenit 11 të Ligjit për masat mbrojtëse në importe, hetimi bëhet brenda afatit prej 180 ditësh, mirëpo për dallim nga Ligji Antidamping në këtë rast nuk duhet të presim 60 ditë, mirëpo në momentin që kemi analizat përfundimtare, ne do të vazhdojmë me vendosjen e masës ndaj produkteve konditorike dhe të tjera për biskota nga Serbia”, theksoi Hajdari.

Ndryshe, kjo ministri muaj më parë kishte marrë dy vendime për masa mbrojtëse antidamping për produktet të caktuara nga Serbia. Vendimi i parë ka pasur të bëjë për ri-kthimin e masave mbrojtëse antidamping për bllokat e argjilës nga Serbia, si dhe masat mbrojtëse për koncentaratin e kafshëve që importohet po ashtu nga Serbia.

Lexo edhe

Video