Rrjeti i Grave të Kosovës kërkoi përgjegjësi institucionale për dështimin në mbrojtje të viktimave të dhunës me bazë gjinore, pas raportimit të djeshëm në medie se 11-vjeçarja që ishte dhunuar në vitin e kaluar, u dhunua përsëri në strehimoren e sigurisë së lartë, ku ishte strehuar.
RrGK theksoi se dhunimi i një vajze 11 vjeçare brenda një strehimore të sigurisë së lartë shfaq hapur dështimin dhe neglizhimin institucional.
RrGK kërkoi nga Ministria e Punëve të Brendshme që të shkarkojë menjëherë personat përgjegjës nga strehimorja e sigurisë së lartë dhe nga prokuroria që të hetojë rastin me seriozitet dhe të sigurojë që viktima të marrë shërbimet e nevojshme.
Reagimi i plotë:
Përderisa 11 vjeçarja u dhunua në Parkun e Arbërisë nga pesë persona të ndryshëm, e njëjta u dërgua në strehimore për rehabilitim. Gjatë periudhës kur ajo është dashur që të rehabilitohet dhe të marrë ndihmën e nevojshme për të tejkaluar traumat nga dhunimi, pikërisht në institucion rehabilitues ajo dhunohet përsëri. Për më tepër, vajza tjetër që ka qenë e strehuar aty për të njëjtin qëllim të rehabilitimit, ngarkohet me vepër penale të dhunimit. Kjo tregon qartë dështimin institucional për të ofruar siguri të plotë për viktimat e dhunës me bazë gjinore.
RrGK kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme që të shkarkojë menjëherë personat përgjegjës nga strehimorja e sigurisë së lartë dhe të njëjtit të bartin pasojat për veprën penale që ka ndodhur brenda institucionit të tyre. Gjithashtu, RrGK kërkon nga Prokuroria që të hetojë rastin me seriozitet dhe të sigurojë që viktima të marrë shërbimet e nevojshme. Është e rëndësishme që drejtësia të zbatohet në mënyrë të plotë dhe të gjithë përgjegjësitë për këtë vepër penale të përballen me ligjin dhe të ndëshkohen me përgjegjësi të plotë. RrGK po ashtu bën thirrje që gjatë punës me të miturën të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme.
Ndryshe, 11-vjeçarja është dhunuar nga pesë persona në gusht të vitit 2022. Në shkurt të vitit 2023 është shpallur vendimi dënues në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Gjykata ka dënuar Ekrem Rexhepin dhe Gent Rexhepin me 15 vjet burgim, respektivisht 9 vjet burgim.
I akuzuari E.R është shpallur fajtor për veprën penale “Dhunimi” dhe ndaj tij është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vjetëve, në të cilën llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
Ndërsa, i akuzuari SH.K është liruar për veprën penale "Shërbime Seksuale të viktimës së trafikimit".