Rreth 5 muaj i zhdukur, familjarët e Bedri Rexhepit mendojnë se institucionet duhet të kishin bërë më shumë

Rreth 5 muaj i zhdukur, familjarët e Bedri Rexhepit mendojnë se institucionet duhet të kishin bërë më shumë

Fati i biznesmenit Bedri Rexhepi, i zhdukur që prej datës 8 prill, ende është i paditur. Familjarët mendojnë se institucionet duhet të kishin bërë më shumë deri tash dhe të dihet vendndodhja e 38-vjeçarit që për pak kohë i bëhen pesë muaj që kur doli nga banesa e tij dhe nuk u kthye më ndërsa familjarët ende nuk e kanë asnjë informacion.

Vëllai i Bedri Rexhepit, Vedati, thotë se janë të kënaqur vetëm me punën e policisë, ndërsa për institucionet e tjera kanë vërejtjet e tyre, përkundër se ata janë mundur të tregohen bashkëpunues gjatë gjithë kohës.

“Përveç gabimeve fillestare që edhe janë njerëzore, ne jemi të kënaqur deri më tani me punën e policisë, por sa i përket institucioneve të tjera kemi vërejtjet tona, edhe pse ne çdo ditë kemi bërë përpjekje që të takohemi dhe informohemi për fatin e vëllait tonë”, tha Vedati.

Vëllai i biznesmenit thotë se pesë muaj janë shumë për të mos ditur asgjë për një person, prandaj mendon se prokuroria duhet të kishte reaguar me kohë. Ai pretendon se në fillim Prokuroria Themelore e Prishtinës e neglizhoi rastin.

Aktualisht, në lidhje me këtë rast, është i arrestuar vetëm Jeton Vllasaliu, por që sipas Vedat Rexhepit, ai ishte i lënë i lirë për pesë ditë, duke e cilësuar këtë veprim si gabim. Përpos Vallasaliut, është arrestuar edhe një tjetër person pasi kishte tentuar të mashtronte familjarët duke dashur të përfitojë materialisht në këmbim të gjetjes së Bedriut.

“Prokuroria me siguri bazuar në prova e kanë një person në paraburgim i cili është i përfshirë në rrëmbimin e vëllait dhe akoma nuk kanë arritur që të nxjerrin nga ai informacionet se ku gjendet vëllai ynë. Prandaj, në fillim përkundër gabimeve joprofesionale ose duke e neglizhuar rastin që kanë bërë prokuroria duke e lënë të lirë të dyshuarin e vetëm të endet i lirë për 5 ditë, pas arrestimit është dashur që të punohet më shumë në zbardhjen e rastit. Ne nuk kemi kualifikimet e prokurorëve andaj edhe metodat e tyre nuk i njohim, por për një rast të tille që konsiderohet vepër e rëndë penale, mendojmë që deri tani sikur të ishte punuar më shumë do të ishte zbardhur rasti”, vijoi Vedati.

Rexhepi thekson se për pesë ditë, i dyshuari për ngjarjen, Jeton Vllasaliu ka mundur që të ndikojë në prova dhe të arrijë t’i fshehë ato.

I pyetur nëse mendon se procesi po zvarritet, ai pohon se dyshojnë se po ndodhë një gjë e tillë, por uron që kjo zvarritje të mos rrezikojë jetën e vëllait.


“Duke e parë që po bëhen 5 muaj nga rrëmbimi i vëllait tonë, dhe duke e ditur që një person gjendet në burg bazuar në prova dhe ne akoma nuk kemi asnjë përgjigje për vendndodhjen e vëllait atëherë kemi dyshimet tona se, ose nga mosdija, është duke u zvarritur rasti ose mund të ketë edhe arsye të tjera. Megjithatë shpresojmë shumë që veprimet e ngadalta të institucioneve të sigurisë nuk janë shkaktare të cilat kanë mundur të rrezikojnë jetën e vëllait tonë. Prape e potencoj që i dyshuari kryesor Jeton Vllasaliu edhe përkundër dyshimit fillestar të bazuar se ka qenë personi kyç në zhdukjen e vëllait ai ka lëvizur edhe 5 ditë të tjera në zonën ku edhe ka pasur kontaktet e fundit vëllai, deri me datën 13 prill ku pastaj me të njëjtat prova dhe dyshime është arrestuar. Kjo kohë e mosveprimit ka mundur që këtij të dyshuari t’i mundësoi zhdukjen e provave, dhe më e keqja ka mundur që gjatë kësaj kohe edhe vëllai ynë të pësojë nga ky”, tha Rexhepi.

Vedati thotë se si familjarë janë treguar shumë bashkëpunues me institucionet duke i treguar çdo informacion të mundshëm. Ai tregon se prokurore e rastit është Fitore Sadikaj.

“Në pyetjen tuaj ju tregoj që Fitore Sadikaj është e ngarkuar me rastin e vëllait tonë. Ne si familje përkundër përpjekjeve që bëjmë çdo ditë duke trokitur në dyer të ndryshme ku mendojmë se mund të jepet ndihmë, deri më tani nuk kemi asnjë informacion që na dërgon te vëllai. Besojmë që institucionet sa më shpejtë do të zbardhin rastin dhe në rast se jeta e vëllait tonë është rrezikuar si pasojë e mosveprimit atëherë do të kërkojmë llogaridhënie për secilin”, shtoi ai.

Në lidhje me pretendimet e familjarëve për neglizhencë, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, si dhe për të kuptuar arsyet se pse i dyshuari i këtij rasti ishte liruar për pesë ditë. Mirëpo, deri në publikimin e këtij shkrimi, institucioni në fjalë nuk ka kthyer përgjigje.

Herën e fundit kur Prokuroria Themelore e Prishtinës ishte deklaruar për rastin e rrëmbimit të Bedri Rexhepit, ishte data 12 gusht kur ishte lëshuar një komunikatë për media duke siguruar se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme porse kishte thënë se nuk e di vendndodhjen e Bedri Rexhepit.

Në njoftim thuhej se Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast, me urdhër të njëjtit është ndaluar një person i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi” dhe një person i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Shantazhi”, “Prezantimi i rremë si person zyrtar “, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Manipulimi me prova”, të parapara sipas KPRK-së, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit.

Mirëpo, Prokuroria Themelore pranoi se nuk kanë arritur ende të identifikojnë vendndodhjen e Rexhepit.

“Deri më tani, përkundër bashkëpunimit edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, si KFOR-i, FSK-ja, etj, nuk kemi arritur ta identifikojmë vendndodhjen e tani të dëmtuarit B.R.”, thuhej në komunikatë.

Lexo edhe

Video

2 Comments

  • […] Rreth 5 muaj i zhdukur, familjarët e Bedri Rexhepit mendojnë se institucionet duhet të kishin bë… Prokuroria nuk ka arritur ende të identifikojë vendndodhjen e Bedri Rexhepit ​Një muaj paraburgim për personin që u prezantua si agjent i CIA-s e që lidhet me rastin e Bedri Rexhepit U shtir si agjent i CIA-s dhe AKI-së, kërkoi të holla për zbardhjen e rastit të Bedri Rexhepit, arrestohet 48-vjeçari Tre muaj nga zhdukja e Bedri Rexhepit, institucionet neglizhojnë rastin Mbi dy muaj i zhdukur, familjarët e Bedri Rexhepit kërkojnë ndihmën e qytetarëve I zhdukur prej dy javësh, ende nuk dihet asgjë për fatin e Bedri Rexhepit […]

  • […] muaj nga zhdukja e Bedri Rexhepit, institucionet ende pa informacione për vendndodhjen e tij Rreth 5 muaj i zhdukur, familjarët e Bedri Rexhepit mendojnë se institucionet duhet të kishin bë… Prokuroria nuk ka arritur ende të identifikojë vendndodhjen e Bedri Rexhepit ​Një muaj […]

Komentet janë të mbyllura.

error: