Rreth 2 mijë familje do të subvencionohen për investime efiçiente në shtëpi

Rreth 2 mijë familje do të subvencionohen për investime efiçiente në shtëpi

Nga nesër qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për subvencionim të termoizolimit të mureve të jashtme, të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5 mijë e 500 euro.

Përmes projektit për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit, që nisi sot nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, u tha se do të përfitojnë rreth 2 mijë familje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se realizimi i këtij projekti tregon për prioritetin që  e kanë për efiçiencë të energjisë, derisa tha se si rezultat i masave qeveritare është ulur për katër për qind kërkesa për energji elektrike.

Qytetarët mund të aplikojnë për rinovim të shtëpisë që përfshinë izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve dhe dritareve dhe izolimin e kulmit. Me lansimin e këtyre masave qytetarëve do t’iu sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër dhe më i freskët në verë. Ky investim do të ndikojë direkt për faturën e energjisë elektrike për familjet por edhe për nevojën për subvencione në rast të krizave që jemi përballur viteve të kaluara”, tha ajo.

Ndërkaq, anëtarja e Bordit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Nora Arifi, tha se ky projekt ka vlerën 10 milionë euro dhe financohet tërësisht nga Bashkimi Evropian.


Ajo shtoi se subvencioni do të rritet në 50 për qind nëse gruaja është pronare e shtëpisë ose prona është në bashkëpronësi të dy bashkëshortëve.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Biannciarsi, tha se përfitimet nga ky projekt janë të shumëfishta, duke përfshirë kursimet financiare në faturat e energjisë elektrike dhe mjedis më të pastër.

Ky projekt është në kuadër të pakos së tretë të masës emergjente që financohet nga Bashkimi Evropian përmes fondeve të IPA.

Kushtet për aplikim janë që shtëpia të jetë e banueshme, të jetë e pa izoluar dhe që 12 muajt e fundit të ketë konsum të energjisë elektrike rreth 250 kWh.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Lexo edhe

Video