Rrëfen dëshmitari që pa nga afër mbi 50 të vrarët e Familjes Jashari
Lexohet për: 4 min.
9 muaj më parë
Linku u kopjua

Krismat në mëngjesin e 5 marsit, u dëgjuan edhe përreth fshatit. Prekazi u zgjua nga të shtënat e para, për të rezistuar tri ditë rresht përballë ushtrisë serbe. E enjtja e parë e marsit të vitit 1998 shënon fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari. Lagjja e Jasharëve është dëshmi e terrorit ndaj tre brezave të familjes heroike. Të rrethuar nga agresori serb ishin edhe banorë të fshatrave përreth, të cilët mezi arritën të varrosin mbi 50 trupa të vrarë e masakruar. Ish-veprimtari, Xhafer Murtezaj rrëfen për KosovaPress ndodhitë e atyre ditëve. Edhe pas rënies heroike, ai tregon se forcat serbe po qëndronin në brendi të fshatit, teksa banorët e Klinës së Poshtme po mobilizoheshin për hapjen e më shumë se 50 varreve për fëmijë, gra e pleq të vrarë.

“E kujtoj si të jetë sot”, kështu e nis rrëfimin Xhaferi, teksa kujton 5 marsin e vitit 1998. Banorët e fshatrave përreth, ai shton, se nga krismat e armëve kuptuan që lufta kishte filluar. Nga data 5 e deri më 7 mars, Xhaferi tregon se ishin të rrethuar nga forcat policore serbe shumë pranë shtëpive.

Ani pse jo larg nga Prekazi, ai rrëfen se e kishin të pamundur që të ju dalin në ndihmë familjes heroike nga fshati i rezistencës.

“I kemi afër shtëpitë, ndoshta diku vijë ajrore 500 metra, nuk i kemi shumë. Përveç fabrikës së municionit që na ndan. Dhe të gjitha i kemi përcjellë ato...Nuk kemi mundur të depërtojnë....Edhe sot ndjehem i dobët, sepse nuk kemi pasur mundësi të ju ndihmojmë, përveç që kemi pasur mundësi të vritemi në oborr ose në rrugë. Sepse para çdo shtëpie, apo para çdo dritareje ka qenë një shënjestër prej policisë”, tregon Murtezaj më tej.  

“Kemi qenë të bindur se ata të gjallë nuk dorëzohen”, kështu vazhdon rrëfimin teksa flet për rënien heroike të tre brezave. Ish-veprimtari Xhafer Murtezaj tregon se 53 anëtarët e Jasharëve u dërguan në morg e pastaj iu dorëzuan banorëve për t’i varrosur.

“Me datën 9 nuk ka pasur kush të shkojë për t’i varrosur. Atë ditë kanë qëndruar ashtu kufomat (trupat), i ka ruajtur Nebih Ferizi edhe Naser Krasniqi, që njëkohësisht edhe atij i ishte vrarë një vëlla. Me datën 10 herën në mëngjes ka ardhur Ajnishahja, të drejtën ta them ne ende nuk guxonim me dalë. Sepse ju thash që kush ka dalë ka qenë në shënjestër edhe është vrarë. Ka ardhur Ajnishahja, dhe ju kanë thënë (serbët) që ‘nëse nuk i varrosni edhe sot, ne kemi me i varros me dhunë’. Dhe kanë marrë ekskavatorin, kanë marrë kamionin, ka ardhur ekipi i posaçëm për t’i varrosur...”, vazhdon rrëfimin ai.

Prekazi ishte rrethuar nga forcat policore serbe, ndërkohë që Xhaferi tregon se si ishin mobilizuar për të hapur varret për të gjithë të vrarët. Në hyrje të fshatit, ai shton se kishte arritur të identifikojë trupin e Hamit Jasharit dhe gruas së tij, Salës, e cila për disa vjet po bënte roje për ushtarët.

Mes emocionesh, ai rrëfen katër ditët e vështira pas 7 marsit deri tek ceremonia e varrimit. Tregon se kishin vendosur që trupat e mbi 50 të vrarëve të varrosen në “Fushën e Pajtimit”, ku dikur bëhej pajtimi i gjaqeve. Varrimi ishte shtyrë për të nesërmen, si pasojë e mungesës së mediave.

“Ka pasur njerëz, por shumë nuk ka pasur, dy tre persona një varr duke e çelur. 56 varre i kemi çelur. Ka ardhur Zekirja Cana dhe më tha ‘Xhafer djali, ne sot nuk i varrosim për arsye sepse nuk ka depërtuar asnjë media’. Dhe duam të ju bëjmë një varrim më dinjitoz. Dhe kemi vendosur ashtu, ju kemi thënë njerëzve ‘shkepuni shkoni, sepse ne sot nuk po e varrosim”, tregon Murtezaj.

Vështirë se do të harrojë pamjen e fshatit Prekaz, gati i bërë shkrumb e hi. Me datën 11, katër ditë pas përfundimit të luftimeve, arritën të varroseshin të gjithë trupat e vrarë e masakruar, ndërkohë që përveç tymit në gjithë fshatin nuk shihej thuajse asgjë. Në datat 5, 6 dhe 7 mars u vranë mbi 50 persona në fshatin Prekaz, prej tyre, fëmijë, gra e pleq./Sh.Pajaziti/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025