Rohde kërkon uljen e tensioneve në veri

Rohde kërkon uljen e tensioneve në veri

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde i bëri sot thirrje Prishtinës e Beogradit të ulin tensionet e të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Situata në veri ka nevojë për de-eskalim. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkruan diplomati gjerman në Twitter.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, ka qenë Serbia ajo që e ka refuzuar një takim të tillë.


Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat.

Dy incidente u shënuan dje, kur autoritetet njoftuan se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

Sot gjatë ditës kryeministri Kurti u takua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me të cilët ka biseduar për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend, teksa krerët opozitarë, kanë shprehur mbështetje të plotë për sundimin e ligjit në mbarë territorin dhe për mbrojtjen e kufijve të shtetit të Kosovës.

Lexo edhe

Video