Rizvanolli: Sektori i energjisë në Kosovë është futur në binarë
Lexohet për: 4 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, thotë se sektori i energjisë në Kosovë është futur në binarë.
Sipas saj, gjatë qeverisë Kurti është rritur për tre për qind pjesëmarrja e sektorit industrial dhe komercial në konsum të energjisë, ndërkaq ka rënie të vazhdueshme të konsumit familjarë.
Megjithatë, ajo shton se aktualisht është rritur kërkesa për energji elektrike për shkak të temperaturave të larta dhe hyrjes në remont të rregullt të termocentralit Kosova B. Kjo siç deklaron ministrja e ka rritur nevojën për import të energjisë, ku çmimet në tregjet e energjisë shkojnë deri në 1000 euro për megavat orë.
Pavarësisht kësaj, Rizvanolli thotë se është shumë herët që të flitet nëse mund të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, por shton se kjo është kompetencë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Rizvanolli në një intervistë për KosovaPress thotë se janë duke bërë të gjitha përgatitjet që të ketë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike gjatë dimrit. Në anën tjetër, ajo thekson se deri tani rreth 40 për qind e konsumatorëve në veri të vendit kanë paguar të paktën një faturë të energjisë elektrike, që sipas saj është në nivel të kënaqshëm.
“Për gjashtë muajt e parë të vitit 2024 ne kemi pasur një bilanc më pozitiv sesa vitin e kaluar sa i përket prodhimit të energjisë, si dhe importit më të ulët dhe eksportit më të lartë. Që nga java e kaluar në njërën anë kemi pasur ngritje të temperatura në nivele ekstreme që nuk janë të zakonshme për rajonin tonë, ndërkaq nga ana tjetër kemi një bllok të termocentralit Kosova B që ka hyrë në remont të rregullt në përgatitje për dimër. Rrjedhimisht gjatë ditëve të fundit nevoja për import është rritur shumë, ndërkaq çmimet në tregjet e energjisë elektrike në rajon kanë shkuar deri në 1000 euro për megavat orë. Jemi në një kohë, meqenëse e kemi një bllok në remont nuk mund t’i mbulojmë nevojat për konsum, i cili është rritur për shkak të temperaturave të larta. Jemi në një periudhë ku iu kisha bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale, veçanërisht në orën e pasdites nga ora 18:00 deri 23:00 ku çmimi i energjisë ka thyer rekorde. Këto ditë çmimet janë më të larta sesa në dimrin e vitit 2021-2022 kur kemi pasur krizë”, thotë ajo.
Ministrja Rizvanolli thotë se aktualisht KEK po prodhon rreth 500 megavat, ndërsa kërkesa për konsum është rreth 850 megavat energji elektrike. Ajo thotë se sa më pak që importohet energji gjasat për të reflektuar ato në tarifa janë më të vogla.
Udhëheqja e dikasterit të ekonomisë thotë se me rastin e subvencionimit të tarifave për qytetarët dhe bizneset janë shpenzuar rreth 130 milionë euro, të cilat janë ndarë përmes KEK-ut dhe subvencionimit direkt të faturave.
Sa i përket humbjeve në veri, ministrja tha se pagesa ka qenë deri në tetor 2022, kur edhe është arritur marrëveshja në Bruksel për zbatimin e udhërrëfyesit për energji, por nuk tregoi shumën e pagesës deri në atë periudhë.
Ndërkaq bëri të ditur se deri tani janë nënshkruar 2.713 kontrata me konsumatorët në veri, ku të paktën një muaj e kanë paguar 8.500 konsumatorë ose rreth 40 për qind.
Ajo shton se sipas marrëveshjes për energjinë edhe nëse nuk inkasohen mjetet nga kompania Elektroserver, atë nuk e bartin qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës.
Krahas këtyre, Rizvanolli tha se me shpalljen e fituesit të ankandit elektronik diellor prej 100 megavatësh do të ketë përfitime të mëdha për sektorin e energjisë dhe ekonominë e vendit, pasi është një projekt 70 milionë.