Rizvanolli ripërsëritë: Kostoja e gazsjellësit nuk është e qartë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka ripërsëritur se kostoja financiare për projektin e gazsjellësit nuk ka qenë e qartë, derisa ka potencuar se studimi i fizibilitetit është ende duka vazhduar.

Në seancën e sotme, ministrja Rizvanolli tha se fondet e MCC-së nuk kanë qenë të alokuara për infrastrukturë gazi, por kanë qenë të alokuara për një program për Kosovën.

“Projekti i dizajnuar nga qeveritë e kaluara dhe MCC ka paraparë që gazsjellësi Shkup-Prishtinë një gyp transmisioni me kosto 104 milionë dollarë të ndërtohet me kredi nga BERZH dhe grant nga WBIF, 80 përqind nga BERZH-i të cilën do ta merrte qeveria e Kosovës dhe 20 përqind grant nga WBIF. Kosto në këtë fazë nuk ka qenë e qartë, sepse studimi i fizibilitetit ka qenë ende duke ndodhur dhe studimet e fizibilitetit që i përmendën më herët janë ende duke ndodhur. Masterplani për shtrirjen e gazit, projekti i MCC gjithashtu ka qenë duke vazhduar studimin e fzibilitetit dhe gjithashtu një projekt fizibiliteti paralel i përbashkët mes Maqedonisë dhe Kosovës është duke ndodhur aktualisht. Si rezultat kosto e gazsjellësit nuk është i qartë, parashihet me një kontingjencë 40 përqind, që do të thotë kjo kosto 104 milionë dollarë mund të ngritët deri në 145.6 milionë dollarë. Prapë po e cek gazsjellësi nuk lidhet me projektin e MCC-së, financimi për gazsjellësin nuk ka pasur të vijë nga projekti i MCC-së”, tha ajo.


Ajo tha se nga takimi që kanë pasur me përfaqësuesit e Ferronikelit, janë njoftuar se vetëm për ngrohje do të mund ta përdornin gazin.

“Gypat e distribucionit për Sharrcem dhe Ferronikël 4 milionë dhe 20 milionë dollarë, respektivisht kjo ka qenë e paraparë të financohej me grant të MCC-së. Në këtë pikë kemi pasur dilema për arsyeshmërinë ekonomike, nuk ka qenë e qartë nëse këto firma kanë interesim dhe sa do të zgjidhte problemin e tyre dhe javën e kaluar së bashku me ministrin Murati personalisht i kemi takuar përfaqësuesit e Ferronikelit të cilët na kanë njoftuar se vetëm për ngrohje do të mund ta përdornin gazin, do të thotë të mbulonin vetëm 15 përqind të kërkesës së tyre për energji elektrike. Ndërsa, ne po flisnim për 20 milionë dollarë të taksapaguesve amerikan për ta dërguar gypin deri tek Ferronikeli”, tha ministrja.

Po ashtu, ajo tha se nuk ka qenë e qartë cili do të ishte efekti në çmimet për konsumatorët, derisa u shpreh se në bazë të disa përllogaritjeve ka dalë që kosto e gazit të jetë më e shtrenjtë 30 përqind sesa kosto aktuale e prodhimit të energjisë.

“Nuk ka qenë e qartë se cili do të jetë efekti në çmimet për konsumatorët, disa përllogaritje që i kemi marrë 40 euro për një megavat ka qenë vetëm kosto e paraparë e gazit që është më e shtrenjtë 30 përqind sesa kosto aktuale e prodhimit të energjisë që e kemi. Do të thotë është pritur që së paku dy herë të rritet çmimi i kostos në krahasim me këtë që e kemi tani, mirëpo prapë kjo nuk është diçka që ka qenë e qartë dhe e matur në mënyrë rigoroze”, u shpreh ajo.

Lexo edhe

Video