Rizvanolli: Qeveria ka nevojë për më shumë informata për gazsjellësin, MCC ka afate strikte

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, thekson se kanë nevojë për më shumë informata për të qenë më të sigurt për ndërtimin e infrastrukturës së gazsjellësit, teksa shton se MCC ka afate strikte kohore zbatimin e programit të kompaktit.

Ministrja Rizvanolli në një konferencë për media tha se janë në bashkëpunim me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për të vendosur për shfrytëzimin e kompaktin për investime me risk më të ulët.

“Ne kemi nevojë për më shumë informata për të qenë të sigurt se ndërtimi I infrastrukturës së gazsjellësit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC ka afate strikte kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit. Në këtë situatë përballë afateve kohore që ka MCC, ne kemi vendosur që të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit për investime me risk më të ulët, por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte  për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, theksoi ajo.

Ministrja e Ekonomisë tha se do të vazhdojnë punën e përbashkët intensivë me ekipin e MCC-së për energji.


“Gjatë muajve në vijim, ne do të vazhdojmë punën e përbashkët intensivë me ekipin e MCC-së në këtë drejtim dhe i jemi mirënjohës MCC-së dhe qeverisë amerikane dhe agjencive zhvillimore amerikane për ndihmën teknike dhe financiare që I kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin sektorit të energjisë në Kosovë”, theksoi Rizvanolli.

Gjatë dy ditëve të fundit Qeveria e Kosovës ka qenë nikoqire e ekipit menaxherial nga Uashingtoni përkatësisht nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit(MCC).

Me ekipin nga Uashingtoni dhe me drejtoreshën e MCC-së për Kosovë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se takimi ka qenë i frytshëm ku është diskutuar për hapat e ardhshëm në dizajnimin e Projektit të Programit të MCC-së dhe është nënshkruar një marrëveshje që përmbledh vendimet dhe hapat e ardhshëm për muajt e ardhshëm.

Ministrja e Ekonomisë, Rizvanolli edhe ditë më parë ka dhënë detaje për media lidhur me polemikat në publik për gazin amerikan dhe vendimet e qeverisë për sektorin e energjisë.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: