Rizvanolli për krizën energjetike: Sikur të kthehesha prapa nuk do të bëja asgjë ndryshe

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar së në muajin gusht të vitit të kaluar kanë qenë të vetëdijshëm për krizën energjetike, mirëpo gjatë muajit tetor kanë ardhur shkresat e para institucionale për krizën elektrike gjatë muajve të dimrit.

Në komisionin hetimor për krizën energjetike, Rizvanolli tha se kanë bërë gjithçka çka ka qenë e mundur për menaxhim dhe sikur të kishte kthim prapa, nuk do të bënte asgjë ndryshe. Para deputetëve, ajo tha se në muajin tetor kishin skenarët për përballimin e krizës energjetike, porse siç tha ajo, rënia e bllokut të “Kosovës B” kishte ndwrruar rrjedhën, pasi u shtua nevoja për import të energjisë elektrike.

Në këtë periudhë, ministrja tha se qëllimi kryesor i tyre ka qenë furnizimi me energji elektrike dhe përballueshmëria e çmimeve të energjisë nga ana e qytetarëve.

“Kemi bërë gjithçka çka ka qenë e mundur të bëhet. Sikur të ktheheshim edhe një herë vitin e kaluar, asnjë  gjë nuk do të bëja ndryshe. Thjesht mundësia e cilido shteti për të bërë më shumë në një situatë të tillë është tejet e kufizuar. Nuk di që ka ndonjë shtet në Evropë që ka mbetur i paprekur dhe ka kaluar krizën mirë. Ka qenë një situatë kur kërkesa e ka tejkaluar ofertën, çmimet kanë qenë tejet e larta dhe  të gjithë jemi përballur me këtë. Dikush më mirë, dikush më keq e ka kaluar krizën, varësisht prej asaj sa ka pasur kapacitete të gjenerimit dhe varësi nga importi. Në rastin e Kosovës kapacitetet e gjenerimit i kemi të tilla dhe kërkesa për import është rritur, sidomos gjatë muajve të dimrit dhe kjo domosdoshmëri do të thotë se pashmangshëm kemi qenë të prekur”, tha ajo.

Derisa pyeti ministren se kur kanë qenë në dijeni për krizën energjetike, kryetari i komisionit, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj pyeti pwr atw se pse ekzekutivi i ka marrë dividentën KEK-ut dhe KOSTT-it në fund të muajit gusht.

“Kur jeni vënë në dijeni si ministri se kriza energjetike po vjen ose po shtrenjtohet energjia elektrike, ose Kosova po ballafaqohet me një proces që po i vjen një dimër jo i lehtë për Kosovën. Pasi me datën 25 gusht Qeveria ka marrë një vendim ku ka marrë dividendë nga KEK dhe KOSTT, diku 30 milionë euro. A ka qenë në dijeni këtë kohë Qeveria për krizën energjetike që po vjen”, pyeti Selmanaj.

Duke u përgjigjur ministrja Rizvanolli, tha se kanë qenë të vetëdijshëm që dimri do të jetë i vështirë, mirëpo nuk ka pasur parashikime se kriza energjetike do të jetë e paprecedent.

“Siç e thash edhe më herët, ne kemi parë kur çmimet kanë filluar të ngritën në Evropë dhe situata ka filluar duke u përkeqësuar. Vështirësia ka tejkaluar parashikimet, nëse flasim për muajin gusht ka qenë një periudhë kur çmimet kishin filluar të rriteshin në Evropë, por ende ka qenë brenda suaza të normales do të kisha thënë, më të larta se normalja, por jo diçka e jashtëzakonshme dhe paprecedent siç kemi pasur rastin në muajit në vijim. Kemi qenë të  vetëdijshëm që dimri do të jetë i vështirë, por jo aq i vështirë, pasi në atë kohë as vlerësimet e ekspertëve dhe pritjeve në Evropë nuk kanë qenë për këso krize”, theksoi ajo.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, pyeti ministren se pse nuk ka shkuar me kohë në remond blloqet e termocentraleve të KEK-ut.

“Dihet që çdo vit fiskal shkohet në remond dhe atë kur nuk ka kërkim për shpenzim të energjisë elektrike. A e dini vetën fajtor ju dhe qeveria që nuk është shkuar në remond ‘Kosova B’, pasi dihet se shkohet në vazhdimësi dhe për këtë ka pësuar qytetari i Kosovës, sepse është bërë kërkesa për import enorm. Këtu lind pyetja pse nuk keni shkuar me kohë në remond të blloqeve”, pyeti ai.

Mirëpo, ministrja Rizvanolli tha se avaria që ka ndodhur gjatë  dimrit të kaluar në bllokun “Kosova B” nuk mund të parandalohej me një remond, pasi e njëjta nuk ka qenë e parandalueshme.


“Për çështjen e remondit KEK-u mundet të përgjigjet më mirë, mirëpo me aq sa kam informata për këtë çështje, avaria që ka ndodhur nuk ka qenë diçka që mund të parandalohej me një remond të rregullt. Nuk e di a është bërë remond në atë njësi specifike në fakt, por sido që të jetë të jetë ajo çka ka ndodhur dhe rënduar krizën nuk ka qenë diçka e parashikueshme dhe parandaluese…(Rënia e bllokut) ndikimi ka qenë tepër i madh, nuk më kujtohet shifra e saktë, por sipas një vlerësimi është se rreth 50 milionë ka qenë ndikimi i daljes së atij blloku nga operimi, që do të thotë se gjysma e subvencionit është dashur të jepet për shkak të daljes nga përdorimi të bllokut Kosova B”, tha ajo.

Pavarësisht këtyre, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, paraqiti disa të dhëna, që sipas tij dëshmojnë që gjatë muajit shkurt të këtij viti nuk ka pasur nevojë për import të energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të tyre, Tahiri tha se ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka qenë e paarsyeshme, sepse kriza energjetike nuk e ka prekur Kosovën siç është pretenduar.

“Të dhënat tona thonë se KEK-u ka prodhuar 441 mijë e 68 megavat, hidrocentrali i lumëbardhit ka prodhuar 683 megavat, dhe prodhuesit e tjerë 40 mijë megavat. Pra kërkesa për konsum në nivel Kosove ka qenë 599 mijë e 501 megavat, KEK-u në këtë rast ka eksportuar 151 mijë megavat në janar, ndërsa ka importuar 127 mijë. Pra 21 për qind e energjisë elektrike është importuar dhe po e dina se ky 21 për qindësh për muajin janar është subvencionuar nga Qeveria e Kosovës më 20 milionë euro. Nëse dalim në muajin shkurt e kemi gjendjen, 475 mijë megavat nga KEK-u, 511 megavat nga hidrocentrali lumëbardhi dhe 38 mijë megavat nga të tjerat, ndërsa kërkesa për konsum ka qenë 460 mijë megavat. Pra afër 140 mijë megavat më pak, pasi moti ka qenë më i mirë dhe eksporti nga KEK-u ka qenë 16 mijë megavat, importi 11 mijë e 300 dhe këtë rast kërkesa për import ka qenë vetëm 2.7 për qind. Pra sipas këtyre të dhënave, ne pretendojmë se në Kosovë, kur janë ngritur tarifat e kemi mbuluar kërkesat me prodhimin tonë në 97.43 për qind. Konsiderojmë se ngritja ka qenë e paarsyeshme, sepse kriza energjetike nuk e ka prekur Kosovën siç është pretenduar”, tha ai.

Këto të dhëna i kontestoi deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

“Për kredibilitet të procesit dhe informacione dhe përgjigje të sakta është mirë t’iu referohemi burimit të të dhënave. Nuk e di GP i PDK-së a ka ndonjë burim të dhënave që e procedon vet, por është mirë me u deklaru se ku është burimi i të dhënave, ‘sipas të dhënave tona, sipas të dhënave tona’. Ne të dhënat për sektorin i kemi të dhëna të institucioneve, ne nuk prodhojmë të dhëna”, deklaroi ajo.

Mirëpo, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i reagoi Kusari-Lilës, duke i thënë se të dhënat i kanë marrë nga sinjalizuesit dhe se pushteti nuk duhet t’i ndërhyjë opozitës se si ta bëjnë punën e tyre.

“Ju duhet me qenë e vetëdijshme  që Kosova ka në fuqi një ligj për sinjalizues që mbron ata të cilët ofrojnë të dhëna, ku pretendohet për keqpërdorime. Këtë komision hetimor e kemi thirr pikërisht duke u bazuar në të dhëna nga sinjalizuesit në Republikën e Kosovës…Ndaj stop logjikës që me tregu qysh me bërë punën, stop logjikës së dekurajonit të njerëzve me ofru dëshmi dhe të dhëna që ka keqpërdorime”, shtoi ai.

Gjatë raportimit, ministrja tha se Kosova ka menaxhuar krizën më mirë se vendet e rajonit, derisa tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë subvencionuar më shumë import të energjisë elektrike.

Me dy shtetet, ministrja tha se kanë diskutuar për bashkëpunim për tejkalim tw krizës energjetike, madje siç tha ajo, me Maqedoninë e Veriut është diskutuar shitja e thëngjillit në këmbim të energjisë elektrike.

Krahas këtyre, ministrja tha se ende nuk është bërë disbursimi i 90 milionë euro për subvencionim të energjisë elektrike.

Lexo edhe

Video