Qindra studentë hodhën kapelat e tyre në ajër si shenjë e gradimit në pjesën e dytë të ceremonisë së diplomimit që Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) organizoi sot. Rektori i këtij universiteti u shpreh i nderuar me sukseset e studentëve dhe inkurajoi ata që të vazhdojmë tutje me përkushtim. Ndërkaq, studentët thonë se krahas vështirësive, janë të kënaqur me rezultatet e tyre.
Rektori i UBT-së, Edmond Hajzeri u shpreh se është nder dhe privilegj për të treguar sukseset e studentëve, derisa shtoi se Kosovës iu shtua edhe një gjeneratë me aftësi dhe kompetenca t’i shërbejë vendit dhe më tej.
Ndërkaq, studentja e dalluar në drejtimin Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Xhesika Hasa në një fjalë u shpreh se kjo ceremoni është përmbyllje e kapitullit por jo edhe e librit.
Studentja e drejtimit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Eda Alidemaj bashkë me rektorin Edmond Hajzeri bënë ceremoninë e betimit.
Tutje, u bë edhe shpërndarja e diplomave për studentët që kanë graduar.
Studentja që sot hodhi kapelën dhe diplomoi në drejtimit Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Djellza Kajatazi u shpreh e emocionuar teksa foli për periudhën e studimeve.
Në këtë ceremoni, përveç stafit akademik dhe studentëve, ishin të pranishëm edhe shume familjarë, të cilët u shprehën krenarë dhe entuziast për sukseset e të afërmve të tyre.
Babai i Djellzës, Burim Kajtazi tha se është mjaftë i kënaqur me sukseset e vajzës së tij.