Rektori Dema po merr pjesë në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Shqiptare

Rektori Dema po merr pjesë në Konferencën e Rektorëve të Universiteteve Shqiptare

Marjan Dema, rektor i Universitetit të Prishtinës, i shoqëruar nga Dashamir Bërxulli, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, po merr pjesë sot në Konferencën e Dytë të Rektorëve të Universiteteve Shqiptare me temë “Universitetet shqiptare përballë sfidave të hapësirës evropiane të arsimit të lartë”.
Kjo konferencë po mbahet në Korçë, duke pasur si nikoqir organizator Universitetin “Fan S. Noli” i Korçës.
Në aktivitetet e sotme rektori Dema, së bashku me rektorët e tjerë, u prit në Sallën e Senatit të Universitetit “Fan S. Noli”. Më pas, një pritje e veçantë rektorëve iu rezervua nga Sotiraq Filo, kryetar i Bashkisë së Korçës, ku u diskutua për rolin e universiteteve në shoqëri dhe bashkëpunimin e strukturave qeverisëse vendore me universitetet.
Më pas, në hapje të konferencës, rektori Dema mbajti një fjalë për të pranishmit, ku theksoi arritjet e Universitetit të Prishtinës në vitet e fundit, nxori në pah sfidat e universiteteve sot dhe sugjeroi zgjidhje për ballafaqim me to.
Në konferencë po marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësisht të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës.
Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike Shqiptare është formuar me iniciativën e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Mbledhja e parë e konferencës është mbajtur më 15 shkurt 2019 në Prishtinë me rastin e 49 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Lexo edhe

error: