Reja zbulon mënyrën se si do ta ndalojë Izraelin, flet edhe për Brojën e Uzunin

Reja zbulon mënyrën se si do ta ndalojë Izraelin, flet edhe për Brojën e Uzunin

Në prag të ndeshjes së nesërme, ku Kombëtarja e Shqipërisë pret në shtëpi, në stadiumin “Air Albania”, Izraelin, trajneri Edoardo Reja ka folur në një konferencë për media, duke treguar mënyrën se si do ta ndalojë kundërshtarin e nesërm, ndërsa refuzoi të tregojë se me kë do ta fillojë ndeshjen në krye të sulmit.

Reja analizoi kombëtaren izraelite ku zbuloi se çfarë do t’i duhet ekipit të tij për ta ndaluar atë, ndërsa tha se do të mundohet që skuadra e tij të sjell vetëm tre pikët nga ndeshja e nesërme, përcjell KosovaPress.

“Izraeli është një skuadër që vrapon shumë, lojtarët që ka janë ofensivë dhe të shpejtë, edhe krahët e mbrojtjes i kanë shumë aktivë në aksionet ofensive. Kjo mënyrë loje mund të lërë hapësira ku ne duhet të shfrytëzojmë, sidomos sa i përket fazës mbrojtëse. Të mos i lejojmë atyre që të krijojnë superioritet numerik dhe te nisemi me shpejtësi. Kjo është mënyra taktike që duhet të bëjmë mirë këtë ndeshje dhe të mundohemi ta fitojmë”, tha Reja.


Ndërkaq, trajneri i Shqipërisë foli edhe për çështjen se kë do të zgjedhë mes Brojës dhe Uzunit, që ta udhëheq sulmin në ndeshjen e nesërme.

“Nuk e kam zakon të them se kush luan para ndeshjes. Janë mirë të dy. Uzuni duket së shëruar dhe kur u kthyem tregoi se është në gjendje 100%. E njëjta gjë për Brojën. Se kush do luajë, do ta vendos nesër gjatë ditës, kur t’u bëj me dije edhe djemve. Shpresojmë të jenë mirë, nëse aktivizohen, shpresojmë të jenë në formë që të na zgjidhin problemet në fazën ofensive”, tha Reja.

Nesër, me fillim nga ora 20:45, Shqipëria do ta zhvillojë ndeshjen e dytë në kuadër të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, ku e pret në shtëpi Kombëtaren e Izraelit.

Lexo edhe

Video