Reja flet para ndeshjes me Izraelin: Pres maksimumin nga lojtarët

Kombëtarja e Shqipërisë ka mbajtur sot konferencën e fundit për media para ndeshjes së nesërme si mysafire e Izraelit, ndeshje kjo e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kombeve.

Pyetjeve të gazetarëve sot iu përgjigjën trajneri Edoardo Reja dhe mbrojtësi i krahut, Elseid Hysaj, të cilët treguan gjendjen momentale të kombëtares para ndeshjes së nesërme kundër Izraelit, përcjell KosovaPress.

Trajneri Reja tregoi synimet që ka Shqipëria nga kjo ndeshje, duke thënë se e njeh Izraelin nga përballjet e kaluara. Reja tha se të dy kombëtaret gjenden para një ndeshjeje shumë vendimtare, dhe mbetet të shihet se cila do ta ketë mentalitetin e duhur në fushë.

“Ne shpresojmë që të bëjmë më të mirën dhe të marrim rezultatin maksimal ndaj kësaj skuadre. E njohim Izraelin, e njohim dhe nga edicioni më parë. Është një ekip me shumë kualitet, nuk ka rëndësi nëse ka apo jo mungesa. Kjo nuk është se ka vlerë sepse gjithçka vendoset në fushë kështu që kushdo që të luajë edhe do të japi maksimumin, dhe te Izraeli, të gjithë e dinë se jemi para një ndeshjeje shumë vendimtare por do të shohim se cila skuadër do të ketë mentalitetin e duhur për të zbritur në fushë dhe për ta shfaqur këtë vullnet në fushë”, tha Reja.

Po ashtu, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë u shpreh i bindur që lojtarët e tij do të bëjnë një ndeshje të mirë, ndërsa nuk ngurroi që ta pranojë se do t’i duhet pak fat skuadrës së tij.


“Jam i bindur se do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë, patjetër që e kemi përgatitur këtë ndeshje, pra gjatë kësaj jave. Duke pasur të njëjtin mendim në kokë se kjo do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, por sigurisht janë aty të gjithë e dimë. Izraeli ka pesë pikë dhe ne vetëm një, dhe neve na vlen vetëm fitorja, në qoftë se duam të arrijmë në vendin e parë, ndërsa Izraelit nga krahu tjetër i mjafton qoftë edhe një pikë. Por, ne do të bëjmë ndeshjen tonë, edhe pres që të gjithë lojtarët të japin maksimumin. Gjithashtu do të shpresoja që këtë herë, ndryshe nga radhët e kaluara kur episodet na kanë ndëshkuar, këtë herë episodet, do të doja të kishim edhe fatin në krahun tonë”, tha Reja.

Ndërkaq, mbrojtësi i djathtë i Lazios, Elseid Hysaj, tha se e gjithë skuadra janë përgatitur më së miri për të marrë pikë nga kjo ndeshje, pasi që në të kundërtën do të jetë e vështirë për të arritur objektivin.

“Normal që kemi ardhur këtu për të luajtur një lojë të mirë dhe për të kërkuar pikë, sepse po dolëm pa pikë nga kjo ndeshje, pastaj do të jetë shumë e vështirë që ta arrijmë objektivin tonë. Kështu që e gjithë skuadra jemi ardhur të gjithë të përgatitur për të marrë pikë dhe e dimë se është një ndeshje e rëndësishme dhe për këtë besoj që të gjithë çunat i kemi gati për këtë punë”, tha Hysaj.

Për fund, mbrojtësi shqiptar tha se presioni ekziston te të dyja skuadrat, dhe se fitorja i duhet si Shqipërisë ashtu edhe Izraelit, dhe kështu do të shihet se cila do ta shfrytëzojë më së miri momentin.

“Presioni nuk është vetëm për Izraelin, besoj se është edhe për ne, sepse me të vërtetë dhe neve na duhet fitorja si i duhet dhe atyre, dhe do të jetë i njëjti presion në fushë, këtu do merret vesh kush është më i mirë që ta shfrytëzojë momentin, të shfrytëzojë mundësitë që kemi në fushë, dhe kështu është, nuk është se ne kemi më pak presion se Izraeli”, tha Hysaj.

Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë nesër ndeshjen si mysafire kundër Izraelit, përballje kjo që luhet në stadiumin “Bloomfield” me fillim nga ora 20:45.

Lexo edhe

Video