Refuzimi i Kurtit për tu intervistuar në Prokurori, Isufaj: Ligji është i njëjtë për të gjithë
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Refuzimi i Kurtit për tu intervistuar në Prokurori, Isufaj: Ligji është i njëjtë për të gjithë
2 ditë më parë
Linku u kopjua

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj ka deklaruar se nuk i intereson të komentoj deklaratat e askujt. Lidhur me refuzimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për intervistim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, Isufaj tha se ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe për zyrtarët shtetëror.

Isufaj shtoi se ftesa për të dëshmuar është procedurë ligjore dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.

Këto komente, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj i bëri në një konferencë për medie ku foli për punën e kësaj prokurorie për vitin 2024, me ç’rast tha se në vitin aktual kanë pranuar në punë 481 raste, ndërsa janë kryer 230 prej tyre.

Duke shtuar se nuk ka me askënd asgjë dhe se nuk e ka parë intervistën e mbrëmshme të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ku atakoi sistemin prokurorial dhe vetë prokurorinë, Blerim Isufaj ky i fundit tha se nuk i komenton deklaratat e askujt.

Lidhur me atë se në rast të mos përgjigjes së ftesës së Prokurorisë Speciale nga kryeministri, Albin Kurti a do të sillet ai me forcë për intervistim si dëshmitar, Isufaj tha se ligji është i njëjtë për të gjithë dhe nuk do të bëjnë veprime selektive.

Lidhur me deklarimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu se ka zyrtarë qeveritarë që janë intervistuar në zyrën e kryeministrit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se nuk ka informacione që ndokush është intervistuar në zyrën e kryeministrit.

Deklarimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti karshi prokurorëve, sipas Isufaj janë denigruese dhe cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Madje, ai shtoi se sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor nuk janë për të bërë skenarë, por për të punuar sipas ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës pa dallime.

Lidhur me rastin e sulmit terrorit në kanalin e Ibër-Lepencit, Isufaj tha se nuk i jep të drejtë vetës të komentoj në fazën e hetimeve, por shprehu përkushtimin për hetime të drejta, profesionale dhe të paanshme.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj deklaroi se përgjatë vitit 2024 Prokuroria Speciale ka përballur me guxim dhe profesionalizëm disa nga rastet më komplekse dhe delikate që prekin shtetin dhe shoqërinë.

Sipas tij kanë qenë të pa kompromis për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut.

Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj gjithashtu në këtë konferencë për fund-vit tha se luftimi i korrupsionit ka qenë prioritet i tyre, dhe se gjatë këtij vitit kanë ngritur akuza në disa raste të profilit të lartë.

Kryeprokurori, Isufaj tha se punë të mirë si PSRK kanë bërë edhe me rastet e shënjestuara.

Sipas tij vetëm në vitin 2024 janë shënjestruar 8 raste të reja dhe janë ngritur 9 aktakuza.

Mbështetje të plotë për Prokurorinë Speciale sot gjatë një konference për medie ofroi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj i cili  tha se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  prokurorët i ka quajtur “lepuj të shpejtë” kur bëhet fjalë për ndjekjen ndaj njerëzve të pushtetit aktual.

Kryeministri, Kurti nga 11 dhjetor të këtij viti është ftuar për intervisitim nga Prokuroria Speciale lidhur me rastin e rezervave shtetërore. Deri më datën 16 dhjetor nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale me arsyetimin se ndodhej në udhëtim zyrtar, ftesës së radhës nga ky organ i akuzës iu përgjigj duke i ftuar që ta intervistojnë në zyrën e kryeministrit.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025