Disa komuna të vendit po ballafaqohen me reduktime të energjisë elektrike ditëve të fundit. Nga kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) kanë thënë se për shkak të konsumit të lartë të rrymës, po shkaktohen ngarkesa në rrjetin elektroenergjetik të KEDS-it në disa vende në Kosovë, duke çuar në djegie të tyre në disa raste.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi thekson për KosovaPress se aktualisht rajoni i Ferizajt po përballet me reduktime të energjisë elektrike. Ai thekson se për shkak të këtyre sfidave në rrjet dhe ngarkesave, furnizimi me energji elektrike është i kufizuar. Sipas tij, konsumi këto ditë ka shkuar deri në 1.500 megavat orë energji elektrike.
“Aktualisht po vazhdon të mbetet sfidë rajoni i Ferizajt, për shkak të këtyre mbi ngarkesave, ku furnizimi i energjisë elektrike në disa lokacione është i kufizuar. Megjithatë, sipas informatave së shpejti atje do të vihet në funksion, nënstacioni i ri, me të cilin besojmë se do të zgjidhet kjo sfidë për rajonin e Ferizajt. KEDS, apelon për mbështetje të konsumatorëve dhe i fton ata që të kursejnë sa më shumë energjinë elektrike... Po shkon deri në 800 megavat në orë, por kërkesa është tepër e lartë dhe diferenca në mes të prodhimit dhe konsumit po importohet.. Një numër i konsumatorëve i caktuar i tyre e përdorin energjinë elektrike si të vetmin burim për ngrohje e çka po qon tek ngarkesat e mëdha në rrjet. Në fakt rrjeti jonë shpërndarës nuk është i paraparë për ngrohje, është i projektuar për të furnizuar me energji elektrike shtëpitë, bizneset, në bazë të kërkesave, por jo edhe për ngrohje... Konsumi ka shkuar deri në 1 mijë e 500 megavat për orë”, ka thënë Krasniqi.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së Visar Azemi ka kritikuar Qeverinë e vendit se nuk ka vizion dhe as plan për zgjedhjen e problemit për furnizim me energji elektrike.Edhe Naim Bujupi ekspert i energjisë ka thënë se reduktimet e energjisë elektrike vijnë kryesisht nga rritja e kërkesës për furnizim me energji elektrike, kryesisht për ngrohje.
Me uljen e temperaturave në ditët e fundit janë shtuar edhe reduktimet e energjisë elektrike në vend, sidomos në Fushë-Kosovë, Rahovec, Pejë dhe në shumë komuna tjera.