Reciprociteti, Bislimi: Serbia po përhap panik përmes mediave të saja të kontrolluara

Reciprociteti, Bislimi: Serbia po përhap panik përmes mediave të saja të kontrolluara

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës Besnik Bislimi ka reaguar ndaj raportimeve të mediave serbe mbi vendosjen e masave reciproke për targat dhe letërnjoftimet serbe.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se mbiprodhimi i artikujve të tillë të sponsorizuar nga qeveria në mediat serbe, është një ilustrim i përsosur i frikësimit si strategjia kryesore e qeverisë në shfrytëzimin e turpshëm mediatik për përhapjen e panikut dhe promovimin e “akteve heroike” të udhëheqjes shtetërore.

Ndryshe, mediat serbe kanë cituar ministrin e Punëve të Jashtme dhe zyrtarin e SNS-së Nikolla Selakoviq të ketë deklaruar se shqiptarët e Kosovës “fjalë për fjalë janë duke përgatitur ferrin në ditët në vijim”, duke aluduar në vendosjen e masave reciproke ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia.


Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 29 qershor, veturat me targa të qyteteve në Kosovë, të cilat ende lëshohen nga autoritetet serbe, do të mund të zëvendësohen me targa RKS brenda periudhës 1 gusht deri më 30 shtator.

Bëhet fjalë për tabelat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA”, apo “ĐA”, të cilat  janë shfuqizuar dhjetë vjet më parë.

Heqja e këtyre tabelave ishte paraparë në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes Kosovë-Serbi në vitin 2011, por ajo nuk u zbatua asnjëherë në veri të Kosovës.

Vlerësohet se në veri janë rreth 10.000 vetura me targa KM, të cilat janë lëshuar nga Zyra serbe e Policisë për Mitrovicën me seli në Rashkë të Serbisë.

Lexo edhe

Video