Reagon Thaçi: Situata e krijuar në veri, rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë

Reagon Thaçi: Situata e krijuar në veri, rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas situatës së fundit të krijuar në veri të vendit, ku komunat serbe iu përgjigjën një urdhri të lëshuar nga Serbia për futjen në karantinë pas përhapjes së koronavirusit.

Me anë të një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se një situatë e tillë është e papranueshme dhe është rezultat i papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës.

Thaçi ka thënë se qeveria nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të organeve shtetërore të Kosovës.

“Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera presidenti.

Postimi i plotë i presidentit:


Situata e krijuar në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme dhe është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës nuk guxon të lejojë që komunat në pjesën veriore të Kosovës të funksionojnë jashtë kontrollit menaxhues të institucioneve dhe organeve kompetente për parandalimin e pandemisë COVID-19, duke iu krijuar kështu hapësirë ilegale vepruese autoriteteve të Serbisë brenda territorit të shtetit tonë.

Të gjitha masat e ndërmarra nga institucionet shëndetësore dhe ato të rendit e ligjit, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka për detyrë të sigurohet që të zbatohen anekënd territorit të Republikës së Kosovës.

Si President i Republikës së Kosovës jam duke e përcjellë me shumë shqetësim situatën e krijuar në veriun e Republikës së Kosovës.

I bëj thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i përmbushë përgjegjësitë e saj ndaj qytetarëve tanë, të të gjitha komuniteteve, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Lexo edhe

error: