Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Rashiq rrahjen e djalit të tij e quan sulm të organizuar

Rashiq rrahjen e djalit të tij e quan sulm të organizuar

Politikani serb nga Kosova, Nenad Rashiq rrahjen e djeshme të djalit të tij e ka quajtur sulm të organizuar dhe me motiv të mundshëm politikisht.

Ani pse nuk adresoi gishtin ndaj asnjë partie politike, Rashiq përmes një konference për medie kërkoi sot të ndalen etiketimet dhe shpifjet, pasi pasojat po prekin edhe familjet.

Derisa theksoi se ky rast duhet të zgjidhet, Rashiq tha se nuk e prejudikon rastin, por sulmi ka ndodhur nga persona që nuk kanë qenë nxënës të shkollës së djalit të tij.

Ndërkohë, Rashiq komentet e liderit të Listës Serbe, Goran Rakiq se ky rast është inskenim ndërmjet tij dhe Albin Kurtit, i konsideron të turpshme dhe pa dinjitet.

“Në asnjë mënyrë nuk dëshiroj të prejudikoj pasi është në zhvillim dhe prokuroria ka qenë në vendngjarje dhe disa prej personave janë ndaluar dhe gjithë organet janë të përfshira në proces. Dje kam kontaktuar me drejtorin e Policisë dhe ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e kësaj çështje. Nuk dëshiroj të prejudikoj asgjë, por shpresoj që të zgjidhet… Deri te kjo ka ardhur, nuk dihet a ka qenë spontane apo me urdhërdhënës. Por nuk dua ta prejudikoj, por para incidenti ka qenë një grup në Facebok i organizuar, në të cilin është thënë se të hënën do të bisedojnë. Pastaj publikimi tjetër në Facebook që është fyese që jep parashenja që kjo duhet të jetë e ndërlidhur me ngjarjen. E treta, kur i është drejtuar djalit tim, i është drejtuar me fjalët që i ka sha nënën shqiptare dhe bazuar ne këtë si prind dhe njeri mund të them se këtu ka diçka të planifikuar dhe ai të jetë i sulmuar. Krahas kësaj nuk do të prejudikoj, por do të paraqes gjendjen faktike. Në këtë grupin që kanë sulmuar kishte shumë që kishin përfunduar shkollimin dhe kanë qenë të armatosur me thika. Kjo s’ka qenë kacafytje të rinjsh, por e organizuar”, tha ai.

Krahas kësaj, Rashiq bëri të ditur se Prokurorisë sot i ka deklaruar se si motiv të incidentit mund të jenë deklarata të ashpra politike ndaj tij të politikanëve të Listës Serbe.


“Ekziston dyshimi që politikanët me deklarata të papërgjegjshme kanë fryrë edhe më tej këtë gjendje. Por përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë qenë në nivel…Sot kam kontaktuar edhe prokurorinë të cilëve si shkaktar të incidenteve iu kam theksuar dhe deklaratat që kanë dhënë Dalibor Jevtiq që të aludojë se ne nuk jemi persona të mirë. Kam kërkuar nga prokuroria që motivi dhe shkaku të shikohet edhe në nivelet e tjera, jo vetëm te fëmijët, por edhe të shkakut dhe motivi që ka ndodhur… Të ndalen etiketimet, kjo duhet të ndërpritet, politikisht mund të mos pajtohemi, por familja është e shenjtë”, tha ai.

Lidhur me deklaratat e kreut të Listës Serbe Goran Rakiq se ky rast mund të jetë i inskenuar, Rashiq tha se këto deklarata janë të turpshme.

“Për mua është koment i pandershëm dhe duhet ta kenë për nderë ata që bëjnë këso komente. Për të rriturit nuk ke si i komenton këto… Nëse unë kam qenë organizator i asaj që djalit tim të rrahet dhe t’i thyhen dhëmbët, a do të ishte ai i përgjegjshëm që ai t’i shkaktonte djalit të tij lëndime të tilla… Unë them vetëm që t’i vijë turp të gjithëve që mendojnë kështu”, tha ai.

Ish-ministri Rashiq tregoi edhe për gjendjen shëndetësore të djalit të tij.

“Djali në shkollë ka qenë më shokë të tij dhe ka qenë i sulmuar nga një grup me një shufër metali dhe boks të hekurit ku i janë shkaktuar prerje të buzëve, janë thyer tre dhëmbë dhe kishte një gjakderdhje mjaft të madhe… Një grup prej 30 personave e kanë sulmuar ku e kanë rrezikuar jetën jo vetëm të djalit, por të gjithëve prezentë”, tha ai.

Përmes kësaj konference, Rashiq falënderoi edhe krerët e institucioneve dhe politike në Kosovë, por edhe korit diplomatik për përkrahje gjatë ditës së djeshme për sulmin fizik ndaj djalit të tij.

Lexo edhe

Video

error: