Raporti i Progresit për Kosovën: Veriu mbetet sfidues, urgjente marrëveshje finale me Serbinë

Raporti i Progresit për Kosovën: Veriu mbetet sfidues, urgjente marrëveshje finale me Serbinë

Komisioni Evropian ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2021 për Kosovën. Në raport theksohet situata në veri të vendit, e cila vlerësohet si sfiduese, veçanërisht në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes.

Po ashtu raporti vë në pah edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku thuhet se Kosova është në një fazë të hershme/ka njëfarë niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit.

Gjatë periudhës raportuese, është bërë përparim i kufizuar, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të shënjestruara të nivelit të lartë.

Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja, raporti thekson se “Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në implementimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese dhe gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë”.

Sipas Raportit, një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.

Ky është Raporti i plotë i KE-së për Kosovën:

Gjetjet kryesore të Raportit të vitit 2021 për Kosovën

Aspektet themelore të procesit të aderimit

Në kuptimin e kritereve politike, pjesa më e madhe e periudhës raportuese në Kosovë u shqua me paqëndrueshmëri politike. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në shkurt 2021, me një shumicë të fortë parlamentare të paprecedent, u formua qeveria e re.

Gjatë pjesës më të madhe të periudhës raportuese, aktivitetet legjislative ishin të kufizuara për shkak të kësaj paqëndrueshmërie politike, duke përfshirë përpjekjet për reforma në lidhje me BE-në. Adoptimi i fazës së dytë të Agjendës së Reformave Evropiane (ERA 2) dhe Planit të Veprimit, miratuar nga Kuvendi në tetor 2021, dhe një fokus i qëndrueshëm qeveritar, konfirmoi trendin pozitiv të zotimit të përtërirë të Kosovës ndaj reformave në lidhje me BE-në.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori 2020 që e konstatoi të pavlefshme zgjedhjen e qeverisë së mëparshme në qershor 2020, u shpërnda Kuvendi dhe zgjedhjet e parakohshme u mbajtën në shkurt 2021. Pas fitores bindëse të një aleance opozitare të udhëhequr nga partia Vetëvendosje, shumica e re në Kuvend miratoi një qeveri të re në mars 2021.

Në nëntor 2020, u ngrit aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës në detyrë dhe ai u arrestua me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Më pas ai dha dorëheqjen nga detyra. Kryetarja e atëhershme e Kuvendit u bë ushtruese e detyrës së Presidentit, në përputhje me Kushtetutën, përpara se të zgjidhej nga legjislatura e re për të shërbyer një mandat të plotë presidencial në prill 2021.   

Për një pjesë të madhe të periudhës raportuese, atmosfera e polarizuar politike, mungesa e shumicës efektive qeveritare dhe mungesa e kuorumit preku rëndë vendimmarrjen në Kuvend. Ekziston nevoja që Kuvendi të përmirësojë kuadrin e vet rregullator, duke përfshirë rregulloren e punës. Kuvendi mbeti i hapur gjatë pandemisë, duke respektuar masat e mbrojtjes së shëndetit.

Në përgjithësi, zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2021 ishin të mirë-administruara, transparente dhe konkurruese, pavarësisht disa mangësive. Procesi zgjedhor i Kosovës vazhdon të ketë nevojë për forcim të gjithanshëm për të adresuar dobësitë e kamotshme gjatë ciklit zgjedhor, siç janë identifikuar nga misionet e njëpasnjëshme vëzhguese të zgjedhjeve nga BE-ja që nga viti 2014. Forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional mbi financimin e fushatave dhe partive politike mbetet një fushë në pritje që ka nevojë për reformë.


Situata në veri të Kosovës mbetet sfiduese, veçanërisht në lidhje me korrupsionin, krimin e organizuar dhe kushtet për lirinë e shprehjes.

Ekziston një niveli i përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike, por nuk ka pasur përparim në këtë drejtim gjatë periudhës raportuese, duke pasur parasysh ndryshimet e shpeshta të qeverisë. Ligji për Zyrtarët Publikë hyri në fuqi në qershor, por nuk u bënë përpjekje të ndjeshme për të filluar implementimin e tij veçanërisht në lidhje me rekrutimet. Krijimi i një departamenti qendror efektiv të rekrutimit u vonua. Ndikimi i pavend politik mbi emërimet dhe shkarkimet e funksionarëve të lartë publikë dhe nëpunësve civilë është vërejtur në disa raste dhe Kosova ka përmbushur vetëm disa nga zotimet e saj për kriteret e bazuara në merita. Nuk është bërë përparim në adresimin e pabarazive në sistemin e pagave të sektorit publik. Procesi i racionalizimit të agjencive ka ngecur. Pasiguria ligjore për bizneset dhe individët ngulmon për shkak të mungesës së vazhdueshme të progresit në harmonizimin e legjislacionit sektorial me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Ka nevojë urgjente për përtëritje të zotimit për reformën e administratës publike.

Kosova është ende në një fazë të hershme të zhvillimit të një sistemi gjyqësor që funksionin mirë. Administrimi i përgjithshëm i drejtësisë vazhdon të jetë i ngadalshëm, joefiçient dhe i prekshëm nga ndikimi i parregullt politik. Gjatë periudhës së raportimit janë shënuar disa përparime. Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit rezultoi në një Strategji dhe Plan Veprimi për Sundimin e Ligjit, që përshkruan sfidat kryesore në sistemin e sundimit të ligjit dhe u adoptua në gusht 2021. Kosova futi në përdorim një sistem elektronik për menaxhimin e lëndëve dhe ngriti një sistem qendror të evidencave penale, megjithatë sfidat mbeten të pranishme. Kosova ka bërë përpjekje për të implementuar Ligjin për Ndërmjetësimin. Pandemia e COVID-19 ndikoi në përpunimin efektiv të lëndëve dhe mbajtjen e seancave gjyqësore (dhe qasjes së publikut në to) në Kosovë. Qeveria e re ka shqyrtuar disa opsione për një proces për ‘vetting’ të gjyqësorit dhe prokurorisë. Në këtë kontekst, prezantimi i mundshëm i një rivlerësimi të plotë të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve paraqet një burim shqetësimi serioz. Një proces i tillë do të duhej të konsiderohet vetëm si një masë e jashtëzakonshme e mjetit të fundit, pasi të jenë shteruar të gjithë mjetet dhe mekanizmat ekzistues për të siguruar integritetin dhe për të luftuar korrupsionin e titullarëve të detyrave gjyqësore, dhe do të duhej të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe me këshillat e Komisionit të Venecias.

Kosova është në një fazë të hershme/ka njëfarë niveli të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Gjatë periudhës raportuese, është bërë përparim i kufizuar, duke përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të shënjestruara të nivelit të lartë. Lypsen përpjekje të pashkëputura për të realizuar më shumë hetime proaktive, vendime gjyqësore të formës së prerë dhe konfiskim përfundimtar të pasurive. Zyra e Prokurorisë Speciale u forcua me funksionalizimin e Departamentit të Korrupsionit dhe Krimit Financiar dhe me një rritje të përgjithshme në nivelet e personelit. Pakoja ligjore kundër korrupsionit dhe Kodi i Procedurës Penale i ndryshuar ende nuk janë adoptuar. Kuadri ligjor për konfiskimin është në fuqi, por nuk po zbatohet në mënyrë të njëtrajtshme dhe vlera e pasurive të konfiskuara përfundimisht mbetet e ulët. Në përgjithësi, korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje që shkakton shqetësime serioze. Pavarësisht përpjekjeve të bëra, ekziston nevoja për një vullnet të fortë dhe të vazhdueshëm politik për të adresuar në mënyrë efektive risqet sistemore të korrupsionit, si dhe për një përgjigje të fuqishme të drejtësisë penale ndaj korrupsionit të nivelit të lartë.

Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Ajo shënoi përparim të kufizuar gjatë periudhës raportuese në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar. Zyra e Prokurorisë Speciale u forcua me staf shtesë të specializuar dhe u zhvilluan aktivitete trajnimi me synim. Megjithatë, mjetet e fuqishme të parashikuara nga Kodi Penal dhe Ligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim ende nuk po përdoren në tërësi nga policia dhe prokurorët. Nevojiten masa për të forcuar prokurorinë si dhe për të siguruar që nuk ka ndërhyrje politike në aktivitetet operacionale të të gjitha organeve ligj-zbatuese.

Në korrik 2020, Europol dhe Policia e Kosovës lidhën një marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshjet plotësuese të nevojshme për funksionalizimin e këtij bashkëpunimi, duke lejuar qasjen në Aplikacionin e Rrjetit të Shkëmbimit të Sigurt të Informacionit (SIENA) dhe shkëmbimin e Zyrtarëve Ndërlidhës, u finalizuan në shtator 2021.

Është bërë përparim në luftën kundër terrorizmit, në përputhje me objektivat e përcaktuara në aranzhimin implementues BE-Kosovë për Planin e Përbashkët të Veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në lidhje me rehabilitimin dhe riintegrimin e luftëtarëve të huaj terroristë dhe familjeve të tyre. Autoritetet e Kosovës duhet të jenë më efektive në përpjekjet e tyre për të luftuar pastrimin e parave dhe ligji i zbatueshëm do të duhej të jetë në përputhje me acquis të BE-së dhe me standardet ndërkombëtare.

Kuadri ligjor në masë të madhe e garanton mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore në përputhje me standardet evropiane. Megjithatë, mbeten të nevojshme përpjekje plotësuese për ta implementuar plotësisht atë dhe për të përmirësuar koordinimin dhe mbikëqyrjen e politikave dhe legjislacionit për të drejtat themelore. Autoritetet ende varen nga mbështetja dhe udhëzimi i donatorëve dhe duhet të marrin përsipër pronësi më të madhe mbi procesin. Duhet bërë më shumë për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e personave që u përkasin pakicave, përfshirë romët  dhe ashkalinjtë dhe personat e zhvendosur, për të siguruar barazinë gjinore në praktikë dhe për të avancuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për sa i përket lirisë së shprehjes, Kosova ka njëfarë niveli të përgatitjes dhe përfiton nga një mjedis mediatik pluralist dhe i gjallë. Sidoqoftë, mbeten shqetësimet në lidhje me fushatat e njollosjes publike, kërcënimet dhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Mungesa e vetë-qëndrueshmërisë financiare, e përkeqësuar më tej nga pandemia e COVID-19, i lë mediat në pozitë të prekshme nga interesat politike dhe të biznesit. Transmetuesi publik gjithashtu mbetet i prekshëm nga ndikimi politik dhe ende duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme për financimin e tij.

Autoritetet e Kosovës vazhduan të bëjnë përparim në menaxhimin e flukseve të migrimit të rregullt dhe të përzier në kontekstin e vështirë të pandemisë së COVID-19. Kosova e rriti më tej kapacitetin e saj për akomodim dhe përshkallëzoi përgatitjet për të trajtuar një fluks të shtuar emigrantësh.

Për sa i përket kritereve ekonomike, Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë të hershme të zhvillimit të një ekonomie funksionale të tregut. Ekonomia u zhyt në recesion në vitin 2020, por ky trend u përmbys në gjysmën e parë të 2021. Problemet e kamotshme strukturore, të tilla si mungesa e diversifikimit ekonomik dhe varësia nga flukset financiare nga diaspora e bënë Kosovën shumë të prekshme nga ngujimi dhe kufizimet e udhëtimit të lidhura me pandeminë. Në përgjigje ndaj krizës, autoritetet pezulluan rregullën fiskale dhe adoptuan dy pako fiskale. Rritja e fortë e shpenzimeve dhe tkurrja e të hyrave tatimore rezultoi në një deficit të madh buxhetor në vitin 2020, por rimëkëmbja e të hyrave tatimore ndihmoi në arritjen e një suficiti buxhetor në gjysmën e parë të 2021. Mjedisi i biznesit ka një përmirësim të vogël. Zhvillimi i sektorit privat mbetet i shtrënguar nga një ekonomi e përhapur joformale, një gjyqësor i ngadalshëm dhe joefiçient, një prevalencë e lartë e korrupsionit dhe sundimi përgjithësisht i dobët i ligjit.

Kosova ka bërë përparim të kufizuar dhe është në një fazë të hershme për sa i përket aftësisë për t’i bërë ballë presionit konkurrues dhe forcave të tregut në BE. Pak përparim është bërë në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe adresimin e boshllëqeve të kualifikimeve në tregun e punës. Kosova ka bërë disa përparime në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe rritjen e investimeve në burimet e ripërtëritshme, por furnizimi i pasigurt me energji me teknologji të vjetruar me djegie të thëngjillit mbetet një shqetësim. Kosova ka bërë disa përparime për sa i përket digjitalizimit të ekonomisë. Ndryshimet strukturore po shfaqen vetëm ngadalë pasi ekonomia mbetet shumë e varur nga firmat e vogla dhe shumë të vogla të cilat nuk mund të konkurrojnë ndërkombëtarisht, ndërsa struktura e eksportit mbetet e dominuar nga disa produkte, siç janë metalet bazë.

Për sa i përket marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, Kosova vazhdoi të marrë pjesë në shumicën e forumeve rajonale. Kosova mbajti marrëdhënie përgjithësisht të mira me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk ka pasur asnjë ndryshim në marrëdhëniet formale të Kosovës me Bosnjë dhe Hercegovinën, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe të dyja mbajnë një regjim të rreptë vizash.

Në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialogu i lehtësuar nga BE-ja vazhdoi me takime të nivelit të lartë më 15 qershor dhe 19 korrik 2021, si dhe me tri takime të kryenegociatorëve. Gjatë periudhës raportuese të dyja palët emëruan kryenegociatorë dhe ekipe të reja negociuese. Kosova duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe të bëjë përpjekje të mëtejshme thelbësore në implementimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe të kontribuojë në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese dhe gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë. Një marrëveshje e tillë është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane.

Aftësia për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit

Për sa i përket përafrimit me standardet evropiane, gjatë periudhës raportuese është arritur njëfarë përparimi në fushat e prokurimit publik, statistikave dhe kontrollit financiar. Në shumicën e fushave të përfshira në Grupimin 2 mbi tregun e brendshëm, Kosova ka njëfarë niveli të përgatitjes, gjegjësisht në lëvizjen e lirë të mallrave, kapitalit, ligjin për shoqëritë tregtare dhe pronën intelektuale, ndërsa është e përgatitur mesatarisht për lëvizjen e punëtorëve, shërbimeve dhe të drejtën e themelimit, dhe për shërbimet financiare. Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes për konkurrencën, si dhe për politikat e konsumit dhe mbrojtjen e shëndetit. Në periudhën raportuese, Kosova arriti njëfarë përparimi në të gjitha fushat përveç në politikat e konsumit dhe mbrojtjen e shëndetit, ku u arrit vetëm progres i kufizuar. Në fushën e konkurrencës dhe rritjes gjithëpërfshirëse, ajo bëri njëfarë përparimi në shumicën e fushave (dogana, tatimet, shoqëria e informacionit dhe mediet, ndërmarrjet dhe politikat industriale), por bëri vetëm përparim të kufizuar në kërkim, arsim dhe kulturë. Ajo bëri njëfarë përparimi në fushat e politikave që lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe konektivitetin e qëndrueshëm, në sektorin e energjisë, por shënoi vetëm përparim të kufizuar në fushat e transportit, mjedisit dhe ndryshimit të klimës. Në fushën e burimeve dhe bujqësisë, ajo bëri vetëm përparim të kufizuar në bujqësi, sigurinë e ushqimit, veterinari dhe politika fitosanitare. Në politikën tregtare, është bërë njëfarë përparimi në zvogëlimin e deficitit tregtar të Kosovës, por Kosova ende nuk i ka ratifikuar protokollet plotësuese të CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë dhe tregtinë e shërbimeve. Në përgjithësi, Kosova duhet të përmirësojë kapacitetin e saj administrativ dhe koordinimin, në të gjithë sektorët, për të arritur implementimin efektiv të acquis të BE-së.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: