Raporti i Grupit për Ballkan: Ikja e mjekëve trend në rritje

Raporti i Grupit për Ballkan: Ikja e mjekëve trend në rritje

Grupi për Ballkan publikoi raportin Shëndetësia në Kosovë: Emigrimi i mjekëve dhe punëtorëve shëndetësor, duke ofruar statistika dhe rekomandime se si duhet të veprojnë institucionet e vendit për të siguruar menaxhim efikas të trendeve të migrimit dhe për të parandaluar largimin e fuqisë punëtore në sektorin e shëndetësisë.

Grupi për Ballkan nëpërmjet një komunikate për media, thekson se emigrimi i qytetarëve dhe fuqisë punëtore të Kosovës vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore për institucionet dhe shoqërinë, sidomos në sektorin e shëndetësisë.

“Mungesa e kushteve të punës në sektorin publik, pagat e ulëta dhe mospërputhja e kurrikulës arsimore me kërkesat e tregut të punës kanë sjellë si pasojë “largimin e trurit” (ang:“brain drain”), duke shkaktuar emigrim të një numri të madh të mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor. Kjo ndikon direkt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ngrit nevojën për aktivizim të menjëhershëm të institucioneve. Mangësitë në sektorin publik të shëndetësisë kanë dëmtuar mirëqenien e qytetarëve në përgjithësi, duke sjellë si rezultat largimin e tyre në masë të madhe jashtë vendit, për kushte më të mira dhe qasje më të lehtë në shërbime shëndetësore. Kërkesat e vendeve të zhvilluara për fuqi punëtore kanë rritur emigrimin e rregullt duke lehtësuar integrimin e mjekëve dhe punëtorëve shëndetësor emigrantë. Ky trend i migrimit kërkon rritjen e buxhetit për sektorin e shëndetësisë, për të siguruar paga më të larta dhe vende të reja të punës. Në mungesë të masave adekuate institucionale, situata mund të përkeqësohet pa një strategji efikase të menaxhimit. Në fillim të tetorit 2022 u raportua përmes një studimi se në sektorin publik të shëndetësisë janë të punësuar 200 mjekë dhe 1,500 infermierë tepër. Por, të dhënat e Eurostat e nxjerrin Kosovën të fundit në Evropë për sa i përket numrit të mjekëve specialistë, me 170 mjekë për 100 mijë banorë (sipas të dhënave të 2018), për dallim prej mesatares së BE-së prej 388 mjekë për 100 mijë banorë dhe vendeve të rajonit prej mbi 200 mjekë specialist për 100 mijë banorë.Secili punëtor shëndetësor që emigron për arsye të punës duhet të marrë një certifikatë mbi të kaluarën etike dhe profesionale, të cilën e lëshojnë odat e profesionistëve shëndetësor. Trendi i rritjes së kërkesës për t’u pajisur me certifikatë e etikës dhe profesionit, është tregues i numrit të mjekëve dhe infermierëve që synojnë të emigrojnë. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve, nga viti 2018 deri në shtator të 2022 kjo odë ka lëshuar 666 certifikata të etikës dhe profesionit, dokument ky që kërkohet nga institucionet shëndetësore me rastin e punësimit të mjekëve dhe infermierëve jashtë Kosovës. Në vitin 2020, Oda e Mjekëve kishte lëshuar 105 certifikata për mjekët, ndërsa nga Janari deri në Shtator të vitit 2022 e njëjta ka lëshuar 183 certifikata. Ndërsa, Oda e Infermierëve të Kosovës ka lëshuar 140 certifikata për infermierët në vitin 2021. Nga janari deri në shtator të vitit 2022, ky numër është katërfishuar në 586 certifikata”, thuhet në komunikatë. 


Sipas Grupi për Ballkan, preferenca për migrim e kosovarëve është më e larta në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP).

“Matjet e opinionit, të kryera nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) për vitin 2022, tregojnë se 59% e kosovarëve do të jetonin dhe punonin jashtë vendit. Nga ata që kanë shprehur pëlqimin që të jetojnë dhe punojnë jashtë Kosovës, 56% vetëm se janë në faza të ndryshme të përpjekjeve për largim. Kjo shifër është tejet e lartë, sidomos kur krahasojmë se në 10 vitet e fundit, të dhënat zyrtare të ASK-së tregojnë që janë rritur vendet e punës dhe ka pasur rënie të papunësisë dhe punësimit të paqëndrueshëm. Pavarësisht këtyre të dhënave, përqindja e qytetarëve që shprehen të interesuar për të emigruar është më e larta që nga viti 2015 me 49% të interesuar për të dalë jashtë vendit. Krahasuar me vitin 2021, kur 32% e qytetarëve kanë shpreh interesim për të emigruar, në vitin 2022, interesimi i qytetarëve për emigrim është rritur për 17% më shumë. Në vitet 2014-2015 kishte një valë të madhe të emigrimit të parregullt, por nga viti 2016 vërehet një trend në rritje i emigrimit të rregullt. Një ndër arsyet e rënies së emigrimit të parregullt dhe rritjes së emigrimit të rregullt ka të bëjë edhe me ndryshimin e politikave të BE-së dhe vendeve anëtare. Pas valës së emigrimit të parregullt të viteve 2014-2015, shumë shtete të BE-së ashpërsuan masat e azilit dhe përshpejtuan procedurat e kthimit të emigrantëve të parregullt”, thuhet në komunikatë.

Dallimi në pagesa për punëtorët shëndetësor theksohet se është një ndër faktorët kryesor të lëvizjes së mjekëve brenda vendeve të BE-së  dhe emigrimit nga vendet e treta.

“Për të siguruar menaxhim efikas të trendeve të migrimit dhe për të parandaluar largimin e fuqisë punëtore në sektorin e shëndetësisë, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkret, përfshirë: rritjen e buxhetit publik për shëndetësi si përqindje e BPV duke ju afruar mesatares së BE-së prej 9,9%, rritjen e pagave për punëtorët shëndetësor me qëllim që të jenë të përafërta me vendet e rajonit dhe të konkurrueshme me vendet tjera evropiane, ofrimi i bursave për specializim jashtë vendit, me kushtëzime që pas periudhës së specializimit mjekët të kthehen dhe të punojnë për një periudhë disa vjeçare në institucionet publike, punësimi i menjëhershëm i mjekëve të përgjithshëm pas përfundimit të studimeve me qëllim që të asistojnë për mjekët specialist, kësisoj duke fituar përvojë dhe duke ndaluar emigrimin, Autoriteti Qeveritar për Migrim (AQM) duhet të avancojë të dhënat për profilin e migrimit, dhe Të rriten kapacitetet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK)”, thuhet në komunikatë.

Video