Raporti i Avokatit të Popullit: Gjatë kohës së masave kufizuese u rrit ndjeshëm numri i dhunës në familje

Raporti i Avokatit të Popullit: Gjatë kohës së masave kufizuese u rrit ndjeshëm numri i dhunës në familje

Avokati i Popullit publikoi sot raportin e veçantë të punës lidhur me ndikimin e pandemisë në të drejtat e njeriut dhe ofron një pamje të përgjithshme të sfidave dhe problemeve të veçanta që u përballën qytetarët në fushën e drejtave te njeriut.

Raporti “Emergjenca shëndetësore dhe ndikimi i pandemisë COVID-19 në të drejtat e njeriut në Kosovë” trajton ndikimin e masave kufizuese të pandemisë, në veçanti në shëndetin publik, shëndetin mendor, të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, dhunën në familje, të drejtat e fëmijëve dhe ndikimi i emergjencës shëndetësore në jetën e fëmijëve, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuar, dhe të drejtat sociale dhe punës.

Avokati i Popullit konstaton se shërbimet sociale kanë qenë të kufizuara dhe janë shoqëruar me vështirësi të shumta. Situatën e ka përkeqësuar edhe shpallja me vonesë e granteve të rregullta me të cilat përkrahen ofruesit e shërbimeve sociale.


Ai shtoi se gjatë kohës së masave kufizuese është rritur ndjeshëm numri i dhunës në familje. Sipas të gjeturave të raportit, 1915 raste janë shënuar në vitin 2019, ndërsa në vitin 2020 janë paraqitur në polici 2069 raste të dhunës në familje.

Në anën tjetër, Avokati i Popullit ka konstatuar se pandemia ka ndikuar edhe në përkeqësimin e statusit ekonomik, duke e thelluar edhe më tepër hendekun e pabarazisë sociale ndërmjet familjeve. Gjendja ekonomike e familjeve  raportohet të jetë rënduar edhe më tej me rrezikun e rritjes së shkallës së varfërisë.

Raporti nxjerr 22 rekomandime, të cilat u adresohen autoriteteve publike me qëllim që në të ardhmen të respektohen standardet për të drejtat e njeriut në secilën masë kufizuese që mund të vendoset në situata emergjente.

Raportin e plotë mund ta lexoni në këtë vegëz: https://bit.ly/3lSlfEW

Lexo edhe

Video