Ramush Haradinaj: Dauti është i guximshëm, serioz dhe punëtor për kryeqytetin

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj sot i doli në mbështetje vëllait të tij, Duat Haradinaj kandidat për kryetar të Prishtinës në tubimin përmbyllës të kësaj partie në kryeqytet.

Nga këtu, ish-kryeministri, Haradinaj tha se kryeqytetit i nevojitet një njeri i guximshëm, punëtor dhe serioz, që sipas tij, Daut Haradinaj i posedon këto vlera.

Kryetari i AAK-së para elektoratit të kësaj partie në Prishtinë, tha se një ndër fitoret e jetës së tij, është edhe miratimi i Ligjit  për Prishtinën në kohën e qeverisjes së tij në vend.

“Ka shumë rëndësi çfarë porosie çojmë përmes kryeqytetit, është më shumë se sa një komunë, është më shumë se sa qeverisje. Por, për me krijuar këtë përshtypje, kjo nuk bëhet vetëm me fjalë dhe dëshira. Por, bëhet me punë, me guxim, me vendosmëri, me ekspertizë, dhe me njerëz. Unë besoj shumë se Daut Haradinaj, i ka këto vlera. Pra, ai është i guximshëm, është punëtor, serioz dhe është i vendosur. Po ashtu besoj shumë në ekipin e Prishtinës, kandidatë për asamble, që keni vendos me i marrë përgjegjësitë për Prishtinën, me qeverisë me kryeqytetin që nuk është një barrë e lehtë. Një ndër fitoret e jetës sime është Ligji për Prishtinën, që për vite të tëra ka qenë i mbajtur pengë për me votuar, i cili i mundëson buxhet dhe i jep kryeqytetit zhvillim… Kemi shumë punë që na presin në Kosovë, thithja e investimeve, zhvillimi ekonomik, por unë besoj se mesatarja e Prishtinës, është mesatarja e Kosovës. Nëse nuk e ngrisim qeverisjen në Prishtinë atëherë do të vuajmë edhe si vend”, theksoi kreu I AAK-së Haradinaj.


Kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj iu ka premtuar banorëve të lagjeve të diskriminuara barazi, si dhe mbështetje për pensionistë, për sportistë e rini.

Haradinaj po ashtu ka premtuar dyfishim të numrit të çerdheve dhe shkollave në kryeqytet.

“Iu kemi premtuar lagjeve të diskriminuara barazi në ndërtim. Kemi premtuar dhe jemi të vendosur me shtyrë përpara procesin e pranimit Teknik, sepse janë 46 mijë familje të cilët e kanë blerë pronën, e që nuk mund e bartin pronën mbi vete. Ky është një proces që zgjidhet lehtë. Iu kemi premtuar bujqve, fermerëve dhe agrarëve në periferi të kryeqytetit subvencionim në kohë, në tri faza. Kemi premtuar dyfishim të çerdheve[…]Ne I kemi shtatë – tetë ndërrime në arsim brenda ditës, sepse mungojnë shkollat. Nëpër të gjitha lagjet ku ka nevojë për shkolla duhet të ndërtohen. Kjo nuk duhet të jetë vetëm premtim elektoral, por duhet të realizohet, sepse ka pasur buxhet. Suficiti buxhetor për çdo vit ka mbërri mbi 55 përqind, ku kanë tepruar shumica e mjeteve dhe shkollat dhe çerdhet mungojnë. Iu kemi premtuar banorëve të Emshirit se do ta zgjidhim problemin e kolektorit”, tha Daut Haradinaj. 

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Haradinaj, ka thënë se të gjitha lagjet e fshatrat e Prishtinës janë të përfshira në programin e tij, përfshirë edhe bujqit dhe fermerët.

Lexo edhe

Video