Ramosaj: 12 fshatra të Deçanit pa ujë, duam kompani komunale

Helmimi me ujë të pijes i qindra banorëve të komunës së Deçanit e ka shtyrë kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj që të ketë prioritet krijimin e një kompanie të ujësjellësit që do menaxhohet nga komuna. Përkundër që sipas tij kjo do marrë kohë, Ramosaj thotë se aktualisht për shkak të analizave të IKSHP-së që tregojnë se uji i pijes ka bakterie dhe mungesë të klorit, 12 fshatrat e kësaj komune kanë mbetur pa furnizim.

Kreu i Deçanit, Bashkim Ramosaj thotë se duke pasur një ndërmarrje ujore publike, do mundësohet ujë 24 orë për deçanasit.

“Në një qytet ku ka shumë burime të ujit siç është komuna e Deçanit, është shumë e padrejtë të ketë problem me ujin e pijes, të ketë problem me cilësinë e investime në kapacitete ose në standardizimin e këtij ujësjellësi, do jem tepër insistues dhe tepër luftëtar që në këtë farë rruge që kompania të jetë komunale… kjo e do një kohë sepse janë procedura administrative dhe ligjore por është vullneti politik shtyrë edhe nga nevojat e qytetarëve jam i sigurt që po flas se në rast se menaxhon komuna ujë, do ketë 24 orë, 7 ditë në javë, uji do jetë në cilësinë e duhur dhe standardizimi, qoftë në nivelin e shpërndarjes të ujit do jetë në nivel të duhur…furnizimi tashmë është i ndërprerë në 12 fshatra ka njëfarë procedure dhe burokracie. Ne kemi me marrë vendim si ekzekutiv dhe si asamble komunale dhe do e përgatisim gjithë dokumentacionin prej statutit, aktit të themelimit të kësaj ndërmarrje në harmoni me ligjin për ndërmarrje publike, lokale dhe atë për shoqëri aksionare që janë pjesë e kësaj procedure. Sa ka me marrë kohë nuk e di por tani për tani jemi në një situatë të tillë, 12 fshatra nuk guxojnë me pi ujë të pijes derisa të bëhet një ekspertizë dhe sanim i komplet gjendjes”, u shpreh Ramosaj.

Në fillim të kësaj jave gjendja e pacientëve që kërkonin trajtim spitalor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ishte alarmante, por tani sipas Ramosaj gjendje është me e lehtësuar.

Sipas tij, janë mbi 1 mijë e 500 qytetarë që vetëm në QKMF kanë kërkuar trajtim spitalor, pa përfshirë në këtë shifër 284 qytetarë që u trajtuan në klinikat private e 37 në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës dhe mbi 100 në atë të Pejës.

“Dje kam qenë i lehtësuar sepse u gjet njëra prej arsyeve apo shkaqeve që ka ardhur deri tek ky helmim kaq masiv i cili ka bërë që në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të jenë më shumë se 1 mijë e 500 qytetarë të komunës së Deçanit pa përfshirë këtu edhe 284 qytetarë të cilët kanë kërkuar ndihmë në ordinancat private. Po ashtu, një pjesë e këtyre qytetarëve kanë kërkuar ndihmë edhe në spitalin e Gjakovës, në numër prej 37 pacientë dhe po ashtu mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Pejës. Fat i mirë është që ky helmim është tejkaluar me përdorimin e dozave dhe iliqeve të caktuara dhe nuk ka qenë shumë shqetësim i madh…. tani për tani gjendja e pacientëve është duke u tejkaluar edhe pse ende kemi raste varësisht nga imuniteti efekti i këtij helmimi mund të paraqitet më vonë”, tha ai.


Kryetari i komunës së Deçanit e ka quajtur neglizhencë institucionale që gjashtë rezervarët që banorët e Deçanit furnizohen me ujë vetëm njëri prej tyre ka klorinator automatik, dhe pesë të tjerët janë manual.

“Kjo është një lloj neglizhence institucionale që kompania rajonale “Hidrodrini” është dashur që të ketë në fokus gjatë gjithë kohës, megjithatë realiteti është ky, rezervarët që furnizohet qytetarë në më shumë se gjashtë rezervar apo burime të ujit vetëm njëri nga këta rezervar ka klorinatori automatik, kloratorët tjerë janë manual dhe po ashtu zona e sigurisë rreth këtyre kloratorëve nuk është në fazën e kënaqshme dhe qasja nga burimi është jo me standardin e duhur. Po shpresojmë që kompania rajonale e ka marrë një mësim tanimë, që duhet të jetë me kompetente në ofrimin e këtyre shërbimeve”, tha ai.

Në seancën e sotme, ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit, Liburn Aliu tha se kompania rajonale e ujësjellës “Hidrodrini”, nuk është i mbrojtur madje disa pjesë të sistemit nuk kanë as leje ujore. E për këtë kreu i deçanasve, Bashkim Ramosaj tha se nuk ka informacion në këtë aspekt, por e di që rrafshi i Dukagjinit furnizohet me ujë të pijes nga kjo kompani e ujësjellësit.

“Nuk di mbi licencën e një kompanie rajonale siç është “Hidrodrini”, mirëpo e di që një kompani rajonale me vite të tëra është duke e bërë menaxhimin e ujësjellësit, sidomos në zonën e rrafshit të Dukagjinit duke përfshirë Klinën, Istogun, Pejën e Deçanin” theksoi Ramosaj.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik gjatë ditës së sotme ka njoftuar se analizat fiziko-kimike dhe bakterologjike të mostrave të ujit të datës 15 korrik kanë rezultuar se në kaptazhën e Drenocit janë gjetur vlera të shtuara të bakterieve dhe po ashtu vlerat e klorit kanë qenë zero, si pasojë e kësaj uji është i papijshëm.

Ndërsa, rastet e para të helmimit nga uji janë paraqitur më 10 korrik dhe gjatë tërë javës ka pasur kërkesa të mëdha nga pacientët për trajtim mjekësor.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: