Ramadani: Të mos gabojmë siç bëri Ballkani, t’i konkretizojmë rastet

Klubi i futbollit nga Superliga e Kosovës, Gjilani, do të luajë në raundin e parë të Ligës së Konferencës ku të enjten do të ballafaqohet me skuadrën letoneze, Liepaja, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Trajneri i skuadrës gjilanase, Zekirja Ramadani, do të debutojë në këtë ndeshje zyrtare si trajner i kësaj skuadre dhe në konferencën për media e ka vlerësuar lartë kundërshtarin e nesërm, por ka thënë se kanë punuar shumë që nga kjo sfidë të dalin triumfues.

“Unë mendoj se kemi pasur kohën e mjaftueshme për të komponuar ekipen dhe për të treguar ekipit atë që dëshirojë unë dhe modelin që dua ta luajë unë me ekipin e Gjilanit. Një vlerësim maksimal për ekipin kundërshtar. Kemi parë disa ndeshje, unë mendoj që kemi përballë një ekip me shumë eksperiencë, një ekip që ka formën optimale për shkak të kampionatit që po zhvillohet atje, por gjithsesi ne kemi adutët tona, kemi forcën tonë, kemi pikat e forta që i kemi  dhe jemi munduar për t’i bërë edhe më të mira dhe mendoj që nëse arrijmë ta imponojmë lojën tonë, e jo ta pranojmë lojën e kundërshtarit mund të dalim e një rezultat pozitiv”, tha Ramadani.

Kryetrajneri i Gjilanit tha më tutje se atij i intereson vetëm kualifikimi dhe aspak loja e bukur po posedimit i topit dhe pikërisht kjo është ajo që duhet marrë mësim nga ndeshja e Ballkani ndaj Zalgirisit.

“Nuk vlen vetëm dominimi i lojës, ne do të luajmë për kualifikimin sepse nëse mund të themi që do luajmë për të dominuar, për të pasur posedimin e topit dhe nuk arrijmë në fund të shënojmë ose të fitojmë, unë mendoj se ajo është krejt e kotë. Unë mendoj që duhet të jemi shumë cinik, duhet shfrytëzojmë rastet,, të marrim mësim nga ajo e mbrëmshmja që i anashkaluan shumë raste futbollistët e Ballkani, kjo nuk duhet të na ndodhë edhe neve, të marrim mësim nga ata dhe në këto ndeshje nuk mund të krijosh shumë, por duhet ato që t’i krijosh të paktën 50 përqind të tyre t’i shfrytëzosh nëse do të kualifikohesh. Do heqim dorë nga loja e bukur për momentin, nuk na intereson loja e bukur, nuk na intereson posedimi i topit, na intereson kualifikimi në raundin e dyte. Kjo është pjesa kryesore.”, theksoi Ramadani.


Ai më pas foli edhe mbi taktikën që skuadra e tij mund të bazohet gjatë kësaj ndeshje duke theksuar se rivali është më i përgatitur fizikisht për shkak të kampionatit atje që është duke u zhvilluar.

“Unë mendoj që bashkë me stafin tim do mundohemi që nga secili të nxjerrim maksimumin dhe nuk do të thotë që nëse luajmë shumë ofanziv edhe mund të fitojmë, ndonjëherë mund të fitosh edhe nëse luan defanziv. Unë mendoj që duhet të luajmë shumë me mend. Ekipi mendoj që është i gatshëm në aspektin psikologjik 100 përqind. Në aspektin fizik vetëm iu gënjejë nëse iu them që 100 përqind jemi të gatshëm sepse ne jemi vetëm në ndeshjen e parë zyrtare për këtë vit dhe vijmë nga një fazë përgatitore kurse ekipit kundërshtar ka zhvilluar 20 ndeshje të kampionatit Letonisë dhe mendoj që në këtë aspekt ata janë të favorizuar, por besoj në ekipin, besoj në kualitetin e futbollistëve dhe jam i bindur që secili do jap maksimumin dhe do mundohemi që të bëjmë më të mirën për të arritur objektivin”, tha Ramadani.

Ndryshe nga trajneri, foli futbollisti, Albert Dabiqaj. Ai tha se skuadra do të provojë të luajë lojë të bukur dhe përmes saj edhe ta synojë kualifikimin.

“Po, mendoj që jemi të gatshëm, kemi pasur një fazë përgatitore mjaftë të mirë. Besoj që ekipit do t’i shkojë gjithçka mirë, nuk do të thotë që nuk do të bëjmë lojë të bukur , do të mundohemi të bëjmë lojë të bukur, por siç tha edhe trajneri për ne është primare vetëm kualifikimi dhe besoj që do t’ia dalim edhe me futboll të bukur të kualifikohemi”, tha Dabiqaj.

Në fund, Zekirja Ramadnai bëri të ditur se futbollistët Kqiku dhe Musolli nuk do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.