Ramadani pas suksesit në Evropë: Kam pritur rezultat edhe më të mirë

Ramadani pas suksesit në Evropë: Kam pritur rezultat edhe më të mirë

Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë pritur sot ekipin e atletikës, pas suksesit në Kupën Evropiane të Hedhjeve për U-23, të mbajtur këtë fundjavë në Leiria të Portugalisë.

Muhamet Ramadani fitoi medaljen e argjendtë në hedhje të gjylës 7.260 kilogramë. Rezultati i tij më i mirë ishte 18.60 metra.

Ramadani shoqërohej nga trajneri i tij, Shaban Ramadani dhe drejtuesit e Federatës Atletike të Kosovës, kryetari Halil Sylejmani dhe sekretari i përgjithshëm, Abdurrahman Shkodra.


Presidenti Krasniqi përgëzoi Ramadanin dhe FAK-un për suksesin e radhës, derisa i uroi fat dhe suksese, edhe në garat e ardhshme ndërkombëtare, duke i ofruar përkrahje në rrugën drejt sukseseve të reja.

Ramadani u shpreh i lumtur me suksesin e arritur, dhe rezultatin, duke thënë se konkurrenca ishte e fortë. “Rezultati ka qenë stabil, ku të gjitha hedhjet kanë qenë mbi 18 metra. Kam pritur rezultat edhe më të mirë, por shkaku i kushteve atmosfera që i kemi pasur në Kosovë, nuk kam pasur mundësi për të stërvitur mjaftueshëm jashtë”, tha 19-vjeçari.

Edhe kryetari i FAK-ut, Sylejmani dhe trajneri Ramadani, besojnë se atleti Ramadani do të vazhdojë me suksese të tilla, duke e prezantuar denjësisht Kosovën në garat ndërkombëtare.

Lexo edhe

Video