Rama: Të vendosur të vazhdojmë pa lëkundje “Ballkanin e hapur”

Rama: Të vendosur të vazhdojmë pa lëkundje “Ballkanin e hapur”

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama shprehu sot vendosmërinë e tij për të vijuar me nismën “Ballkani i hapur”.

“Për sa i përket nismës “Ballkani i hapur”, ne jemi të vendosur të vazhdojmë pa lëkundje dhe paralelisht me vazhdimin e rrugës së nisur, ne jemi të interesuar që edhe të tjerët të përfshihen, sepse “Ballkani i hapur” është krijuar për të qenë gjithëpërfshirës dhe jo përjashtues”, tha Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionarin e BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Rama, pas zgjedhjes së Dritan Abazoviq kryeministër i Malit të Zi, tha se do ta riftojë Malin e Zi t’i bashkohej nismës së “Ballkanit të hapur”.

“Imagjinoni sikur dikush të thoshte, jo 30 apo 10 vjet më parë, por edhe 5 vjet më parë, se Ballkani Perëndimor me 6 vende do të kishte tre kryeministra shqiptarë. Sot është realitet, tre shqiptarë në 6 vende. Ashtu sikundër është e qartë se shqiptarët në këtë kohë që kanë rilidhur urat me Evropën ecin përpara dhe fitojnë vetëm nëse dinë të sillen si njerëz të paqes. Dhe patjetër që ne do ta ri-ftojmë Malin e Zi, sigurisht i takon kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për të bërë ftesën zyrtare, pasi samiti i ardhshëm i “Ballkanit të hapur” do të jetë në Ohër në datat 9-10 qershor, por patjetër edhe unë do të bëj inkurajimin tim që ai të jetë i pranishëm në tryezë. Dritani ka qenë pozitiv ndaj tryezës së “Ballkanit të hapur”, në parim”, tha Rama.


Por, theksoi ai, “Ballkani i hapur” do të vazhdojë, sepse përveç të tjerash, ky është vullneti i shqiptarëve.

“Të gjithë do të vijnë një ditë. Kush do të vijë më vonë do të ketë humbur më shumë”, tha Rama, transmeton ATSH.

Ndryshe, planet për “Ballkanin e Hapur” u deklaruan për herë të parë në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë.

Deri tani pjesë e kësaj iniciative janë bërë vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ndërsa Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen.

Lexo edhe

Video