Rama: Rusia nuk është vend armik i Shqipërisë, por kemi ndarje të qarta

Rama: Rusia nuk është vend armik i Shqipërisë, por kemi ndarje të qarta

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se e vetmja mënyrë për zgjidhjen e konfliktit Ukrainë-Rusi janë bisedimet. Në një konferencë për medie i pari i Qeverisë shqiptare theksoi qëndrimin lidhur me situatën e krijuar mes Ukrainës dhe Rusisë për çka tha që ky është një konflikt goxha i rrezikshëm.

Rama tha se në marrëdhëniet bilaterale nuk ka asnjë problem me Rusinë dhe se ky shtet nuk është armik i Shqipërisë, por që ka nënvizuar se me Rusinë ka një ndarje të qartë.

Ai është pyetur edhe për letrën e ambasadës ruse në Tiranë dhe për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri një ditë më parë nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

“Çdo qeveri e ka marrë atë letër, e ka lexuar, por e lexon, ndërkohë që qëndrimet tona janë publike, janë të qarta, janë të drejta besoj unë. Ne nuk kemi asnjë problem në marrëdhëniet tona bilaterale me Rusinë. Rusia nuk është një vend armik i Shqipërisë, por ne kemi një ndarje shumë të qartë në këtë pikë dhe gjithë zhurma për letrën është pjesë e një zhurme folklorike në katundin e Partisë Demokratike, që ta themi qartë[…]Unë ndaj mendimin e shumë të tjerëve, që ky është një konflikt goxha i rrezikshëm dhe tensioni në rritje është patjetër me një potencial rrezikshmërie të lartë dhe bëj pjesë në atë grup njerëzish që fatmirësisht nuk janë pak, që besojnë se rruga është bisedime, bisedime, bisedime me Rusinë, për të gjetur pika çtensionimi e për të hapur një proces shumë të vështirë dakordësimesh”, tha Rama.


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka tha se lidhur me Ukrainën qëndrimet kanë qenë në mbështetje të ruajtës së integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës.

“Lidhur me Ukrainën, qëndrimet tona kanë qenë në mbështetje të ruajtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, duke nënvizuar të drejtën sovrane të çdo kombi për të zgjedhur rrugën e tij dhe për të vendosur për të ardhmen e tij, duke theksuar në të njëjtën kohë një të vërtetë që nuk duhet harruar në asnjë moment gjatë kësaj situate, që NATO është një aleancë mbrojtëse, misioni i të cilës është të garantojë sigurinë kolektive të vendeve anëtare”, tha ajo.

Në këtë konferencë për medie Rama u pyet edhe për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri një ditë më parë nga Gjykata e Posaçme e Apelit për çka tha se nuk i komenton vendimet e gjykatave.

“Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave, unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi dhe 100 herë të kthehesha mbrapsht, 100 herë do bëja të njëjtën gjë, por sot jemi këtu për një çështje krejt tjetër, me një rëndësi shumë të madhe dhe me një vlerë shumë pozitive për Shqipërinë, kështu që unë nuk do doja që të çfokusoheshim nga kjo çështje. Patjetër që për çështje të tjera përfshirë dhe ecurinë e reformës në drejtësi do të kemi plot kohë dhe mundësi të tjera të flasim”, tha Rama.

Lexo edhe

Video