Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i paraqiti sot presidentit të Republikës, Bajram Begaj propozimin për emërimin e Vlora Hysenit si drejtoreshë e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Vlora Hyseni ka mbajtur postin e zëvendësdrejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) por edhe drejtimin e saj për një periudhë të shkurtër për shkak të largimit të drejtorit të mëparshëm.
Kreu i ekzekutivit shqiptar, përmes një statusi në Facebook, u shpreh se Hyseni ka eksperiencën dhe përgatitjen e duhur për këtë pozitë.
“Me besimin e plotë se, përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”, shkroi Rama
Vlora Hyseni ka qenë në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.
Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.
Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, më 30 qershor të vitit 2021 e shkarkuan nga detyra Hysenin.
Presidenti Bajram Begaj dekretoi në 23 dhjetor 2022 lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ i Shtetit, Helidon Bendo, i cili ishte emëruar në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në datën 5 nëntor 2018.
SHISH është institucion qendror që varet nga Kryeministri dhe drejtohet nga Drejtori. Veprimtaria e SHISH-it bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i SHISH-it emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit. Struktura dhe organika e SHISH-it propozohen nga Drejtori dhe miratohet nga Kryeministri. Parimet bazë të punës së këtij institucioni janë ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti.
Shërbimi Informativ Shtetëror ka këto detyra kryesore:
– Mbledh informacion nga jashtë në funksion të sigurimit kombëtar;
– Kryen veprimtari kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, pavarësisë e rendit kushtetues;
– Mbledh informacion për terrorizmin, prodhimin e trafikun e narkotikëve, prodhimin e armëve të dëmtimit në masë dhe krimet kundër mjedisit;
– Mbledh informacion për krimin e organizuar, që cenon sigurinë kombëtare;
– Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, punonjësve dhe pasurisë me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve;
– Kryen veprimtari mbështetëse tekniko-administrative, sipas nevojave për realizimin e funksioneve të mësipërme.
Drejtuesit e SHISH-it ndër vite:
01.08.1991 deri 29.06.1992 Irakli Koçollari
29.06.1992 deri 09.04.1997 Bashkim Gazidede
09.04.1997 deri 29.05.1997 Astrit Kodra (i komanduar)
29.05.1997 deri 21.08.1997 Arben Karkini
21.08.1997 deri 07.08.2002 Fatos Klosi
07.08.2002 deri 18.11.2002 Petrit Myftari (i komanduar)
18.11.2002 deri 27.01.2005 Kujtim Hysenaj
27.01.2005 deri 09.08.2012 Bahri Shaqiri
09.08.2012 deri 30.10.2017 Visho Ajazi Lika
01.11.2017 deri 05.11.2018 Helidon Bendo (ka kryer funksionin)
05.11.2018 deri 23.12.2022 Helidon Bendo